Ndërlidhjet

SHQIPTARËT DHE SERBËT ME QËNDRIME TË KUNDËRTA PËR RAPORTIN E AMBASADORIT EIDE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarë të qeverisë dhe përfaqësues të serbëve të Kosovës kanë qëndrime të ndryshme lidhur me faktin, nëse vonesat për jetësimin e decentralizimit mund të shkaktojnë edhe shtyrjen e fillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës. Oliver Ivanoviq, nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, mendon se mossuksesi i decentralizimit mund të shkaktojë shtyrje të procesit, pasi sipas tij, i dërguari i posaçëm i sekretarit Anan për vlerësimin e situatës së përgjithshme politike në Kosovë, Kai Eide do t’i japë përparësi në raportin e tij pikërisht decentralizimit:
"Ky do të jetë kushti kryesor, që në fakt është lehtë i realizueshëm. Standardet janë rrëfim tjetër, pasi brenda një kohe të shkurtër vështirë se mund të arrihet ndonjë sukses në përmbushjen e standardeve," tha Oliver Ivanoviq, i cili është takuar dy ditë më parë me ambasadorin Eide. Ky i fundit dje ka përfunduar vizitat në Kosovë dhe tani pritet publikimi i raportit të tij, që do t’i hapte rrugë përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovë, por vetë Eide nuk ka përcaktuar ndonjë datë të përafërt se kur do ta shpallë raportin e tij.
Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë së Kosovës nuk besojnë se shtyrja e jetësimit të pilot-komunave do të shtyjë edhe zgjidhjen e statusit. Avni Arifi, koordinator i qeverisë për standardet, tha sot se vonesat në decentralizimit janë bërë për shkak të mospjesëmarrjes së serbëve, edhe pse qeveria i ka lënë dyert e hapura për ta:
"E konsideroj totalisht të parealizueshme dhe të papranueshme atë që po flitet, se nëse dështon decentralizimi do të ketë vlerësim negativ. Në asnjë mënyrë jo – i gjithë Grupi i Kontaktit, faktorët relevantë e kanë përgëzuar Kosovën për një ofertë të mirë që kanë bërë, për atë që është quajtur varianti B i planit për pilot-projektet", tha zoti Avni Arifi, ndërkohë që Oliver Ivanoviq ka thënë se suksesi i decentralizimit të bërë sipas planit të propozuar nga serbët që është quajtur plani C, është pikërisht në interesin e serbëve të mbetur në Kosovës. Megjithatë, tha Oliver Ivanoviq, për serbët është me rëndësi shumica e theksuar serbe në disa komuna, kompetencat e plota për komunat e reja dhe vazhdimi i reformës së përgjithshme të pushtetit lokal, në mënyrë që në zgjedhje lokale të vitit të ardhshëm të dilet me më shumë komuna. Mirëpo, ai ka hedhur poshtë mundësinë që serbët e Kosovës të jenë duke e shantazhuar decentralizimin, për të siguruar një raport negativ të zotit Eide, e me këtë edhe shtyrje të përcaktimit të statusit përfundimtar:
"Qëndrimi ynë është që duhet të bëjmë gjithçka që decentralizimi të ketë sukses dhe jo të dështojë, ashtu si edhe standardet, pasi ne nuk jemi pengesë për këtë, por jemi një subjekt i standardeve në pjesën më të madhe të tyre," tha Ivanoviq. Avni Arifi ndërkaq është i bindur se Kosova nuk do të ndëshkohet për shkak të bojkotit të një pjese të serbëve, siç u shpreh ai:
"Në të njëjtën kohë kemi dëgjuar në Këshillin e Sigurimit se shqiptarët e Kosovës dhe Kosova nuk do të ndëshkohen, për shkak të bojkotit të paarsyetueshëm të komunitetit serb, apo të disa përfaqësuesve të tyre, pasi disa tashmë janë në proces".
Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, rreth tre javë më parë pati deklaruar se Kosova nuk do të ndëshkohet për shkak se Beogradi nuk lejon serbët e Kosovës të marrin pjesë në proceset si decentralizimi. Ai ka paralajmëruar madje se deri në fund të këtij viti bisedimet për statusin do të jenë në rrugë të mbarë.



XS
SM
MD
LG