Ndërlidhjet

PËRKUNDËR PASURISË, AMERIKA E PAPËRGATITUR PËR KATASTROFËN


Andrew F. Tully

Qeveria amerikane po bëhet gati të shpenzojë dhjetra miliarda dollarë për rimëkëmbjen e rajonit të goditur nga uragani Katrina. Por përkundër resurseve të mëdha që kanë Shtetet e Bashkuara, qeveria qendrore dhe autoritetet lokale në shtetet jugore Luiziana dhe Misisipi, janë kritikuar ashpër për reagimin shumë të ngadaltë në dhënien ndihmë për qindra mijëra njerëzit, shumica të varfër, të cilët u përfshinë nga vrazhdësia e uraganit Katrina.
Disa ditë pasi uragani Katrina i shpartalloi mburojat, të cilat e mbronin New Orleansin nga ujërat për rreth, mijëra njerëz ende kanë mbetur në qytet. Kryetari i bashkisë Ray Nagin, qyteti i të cilit u shkatërrua dukshëm, kurse shumë banorë e humbën jetën, i akuzoi autoritetet federale se nuk reaguan shpejt.
"Ata as që e kanë idenë se çfarë po ndodh këtu. Ata vetëm erdhën me kamerat televizive një ditë pasi uragani i mallkuar kishte marrë fund", tha Nagin.
Më shumë se një javë pas stuhisë, autoritetet në Uashington tash thonë se duan të kuptojnë përse diçka nuk shkoi si duhet në reagimin e strukturave federale, shtetërore dhe lokale, ndaj katastrofës më të madhe në historinë amerikane.
Presidenti Xhorxh Bush, të cilin mediat e kanë kritikuar ashpër se nuk reagoi shpejt ndaj katastrofës, është zotuar vetë t'u prijë hetimeve. Kongresi gjithashtu do të ndërmarrë hetime, përfshirë ato të prira nga Komiteti i Senatit për Sigurinë e Brendshme, kryesuese e të cilit është senatorja republikane Susan Collins.
"Si është e mundur që pothuaj 4 vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe miliarda dollarëve që u shpenzuan për përmirësimin e gatishmërisë, një zonë aq e madhe e vendit tonë, të jetë shumë keq e përgatitur për katastrofën", tha senatorja Collins.
Për kritikët e Bushit, faji kryesisht bie mbi qeverinë federale. Më saktë, ata fajësojnë Agjencinë Federale për Menaxhimin e Emergjencave, apo FEMA, e cila u përgjigjet katastrofave të tilla dhe tani është pjesë e Departamentit për Sigurinë e Brendshme.
Por përgjegjësia për evakuimin e rajoneve para stuhisë, gjithashtu bie edhe mbi autoritetet shtetërore dhe lokale, thotë Jack Harrald, drejtor i Institutit për Menaxhimin e Krizave, Katastrofave dhe Rreziqeve, në Universitetin George Washington. Harrald i tha Evropës së Lirë, se përkundër paralajmërimeve të shumta se Katrina mund të godasë, midis zyrtarëve lokalë dhe federalë nuk ka patur koordinim për evakuimin e banorëve.
"Në fakt, përgjegjësitë e tyre dalloheshin, por ato mbulonin njëra-tjetrën. Por problemi kryesor ishte si të nxirren jashtë 150 mijë njerëz, kryesisht të varfër dhe me mundësi të kufizuara, në kohën kur mburojat e New Orleansit dështuan", thotë Harrald.
Sipas tij, problemi më i madh ishte evakuimi i njerëzve që nuk mundeshin ta lëshojnë qytetin. Ai thotë se ka patur plane federale për largimin e tyre, por ato kurrë nuk janë realizuar. Sipas Harrald, të parashikosh dhe të planifikosh, nuk do të thotë se je përgatitur.
Pjesa më e madhe e fajit iu vesh drejtorit të FEMA-s Michael Brown. Disa anëtarë të Kongresit, të gjithë demokratë, bënë thirrje ai të japë dorëheqje apo të largohet.
Bushi vetë e ka emëruar Brown-in, i cili më parë organizonte shfaqje të kuajve. Harrald thotë se drejtori i FEMA-s nuk kishte kredenciale të nevojshme për një pozitë aq të rëndësishme.
"Lidershipi, përvoja, dituria dhe aftësia, janë tejet të rëndësishme. Vetëm komandimi i luftës mund t'i afrohet kësaj", pohon Harrald.
Një shqetësim tjetër janë edhe njësitet e Gardës Kombëtare. Ato janë nën kontrollin e guvernatorëve të shteteve ku shërbejnë dhe zakonisht luajnë rol të rëndësishëm në katastrofat natyrore. Por pjesa më e madhe e rreth 130 mijë trupave në Irak, vijnë pikërisht nga Garda Kombëtare.


XS
SM
MD
LG