Ndërlidhjet

logo-print

PETERSEN: INSTITUCIONET DHE PARTITË POLITIKE TË BASHKOHEN PËR NJË QASJE KOMBËTARE PËR STATUSIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Me Beogradin mund të bisedohet mënyra e formimit të shtetit të Kosovës, por jo vetë formimi i shtetit të Kosovës, ka deklaruar sot kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, duke folur pas një takimi me shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, i cili ka kërkuar nga institucionet dhe partitë politike të Kosovës një qasje nacionale në përgatitjet për statusin. Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, i ka bërë këto deklarata duke iu përgjigjur njoftimeve për një takim të mundshëm ndërmjet Ministrit të Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri, me homologun e tij nga Serbia Zoran Lonçar. Kryeministri Kosumi tha se nuk dinte nëse ky takim do të ndodhte, mirëpo qeveria e Kosovës, edhe pse është e përqendruar më shumë në dialogun e brendshëm me qytetarët serbë, nuk i ka ikur asnjëherë dialogut me Beogradin:
"Mirëpo ne duhet të bisedojmë edhe me Beogradin zyrtar. Kjo është një çështje që nuk e kemi mohuar kurrë. Një çështje që nuk do të bisedohet është çështja e formimit të shtetit të Kosovës-do të bisedohet mënyra se si do të formohet shteti i Kosovës, por jo vetë formimi i shtetit të Kosovës".
Duke folur për këtë çështje, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, tha se do të donte të shihte dialog të brendshëm të institucioneve, serbëve dhe shqiptarëve, por gjithashtu edhe një dialog të drejtpërdrejtë me Beogradin, por, tërhoqi vërejtjen Petersen, gjithmonë duhet të jemi të qartë se për çka bisedohet kur bisedohet dhe me kë bisedohet. Sidoqoftë, tha zoti Jessen Petersen, tash është e rëndësishme që institucionet të përqendrohen në përmbushjen e standardeve, posaçërisht në fushat ku ka mbetur shumëçka për t’u bërë, por njëkohësisht përgatitjet për statusin duhet të fillojnë në thelb dhe ndershmërisht:
"Përgatitjet për statusin duhet të fillojnë dhe të gjitha institucionet dhe partitë politike duhet të jenë së bashku në një qasje kombëtare," tha Petersen, ndërkohë që kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, shfaqi bindjen se përparimi i arritur në Kosovë do të reflektohet në raportin e ambasadorit Kai Eide, ndërkohë që sipas tij egziston një pajtueshmëri e gjerë se ka ardhur koha për emërimin e një koordinatori, që do të udhëheqë grupet punuese për përgatitjet për statusin.
Sa i përket decentralizimit, kryeadministratori Petersen dhe kryeministri Kosumi thanë se varianti B i planit për pilot-komunat është bazë e mirë për fillimin e jetësimit të pilot komunave:
"Unë mendoj se për pak kohë do të fillojmë jetësimin e disa këtyre pilot-njësive, si Hani i Elezit, Mamusha dhe Juniku, ndërsa me njësitë e Graçanicës dhe Parteshit do të shohim më vonë mundësinë e fillimit," tha kryeministri Bajram Kosumi, sipas të cilit dyert e qeverisë mbeten të hapura për të diskutuar me përfaqësuesit serbë dhe banorët e pilot-njësive, për të dëgjuar shqetësimet dhe interesimet e tyre për të bërë ndryshime pozitive. Në këtë kuadër, kryeadministratori Jessen Petersen tha se bashkë me kryeministrin i kanë shqyrtuar listat e këshilltarëve komunalë për tre njësitë që pritet të fillojnë zbatimin, ndërsa për dy njësitë me shumicë serbe diskutimet do të vazhdojnë.
XS
SM
MD
LG