Ndërlidhjet

I. HALIMI: PDSH VAZHDON BOJKOTIN E KUVENDIT


Iljaz Halimi, nënkryetar i PDSH-së në Maqedoni

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Halimi, kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare ka vendosur të vazhdojë bojkotimin e parlamentit. Cilat janë arsyet?

ILJAZ HALIMI
Arsyet janë konkrete. Në rradhë të parë për shkak të mospërfilljes së kërkesave të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Shqiptare nga ana e shumicës parlamentare, që kishin të bënin me shumë ligje që u miratuan dhe që në fakt nuk përmbajnë elementet e Marrëveshjes së Ohrit. Së dyti anashkalimi pra në tërësi i pikave të Marrëveshjes së Ohrit deri më tani nga shumica e parlamentit dhe natyrisht për shkak të mospranimit të ligjit të grupit parlamentar për anullimin e zgjedhjeve në 16 komuna, ku votat u vodhën, po ashtu u manipulua me to. Nuk ishin zgjedhje të lira dhe demokratike, gjë që është konstatim i faktorëve të bashkësisë ndërkombëtare. Dhe përderisa nuk përfillen kërkesat e opozitës, të cilat janë natyrisht të PDSH-së dhe janë të qëndrueshme dhe përderisa nuk u përsëritën zgjedhjet në këto 16 komuna, si dhe derisa të përfillen pikat e Marrëveshjes së Ohrit, ne edhe më tutje do t'i bojkotojmë punimet e Kuvendit. Këto janë arsyet tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju i keni akuzuar partitë në pushtet për inskenimin e zhvillimeve të fundit në Kondovë. Ku i mbështetni këto akuza?

ILJAZ HALIMI
Në ligjin për amnesti, dihet që të gjithë ushtarët e UÇK-së ishin të amnestuar, mirëpo ky shtet nuk e respekton ligjin për amnesti dhe inskenon raste, situata të ndryshme ndaj ish ushtarëve të UÇK-së. Me pretekst të caktuar ata ndiqen, burgosen dhe nuk janë të lirë si të gjithë qytetarët e tjerë. Për këtë shkak janë të ndjekur si Agim Krasniqi, ashtu dhe shumë të tjerë, të cilët janë lënë anash, të papërfillur, të pa risocializuar, pa punë kuptohet. Prandaj dhe këtë e kanë shfrytëzuar dhe vazhdojnë ta shfrytëzojnë edhe për tërheqjen e vëmendjes së opinionit nga problemet reale, me të cilat ballafaqohet Maqedonia, që kanë të bëjnë qoftë me moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, po ashtu rastet sociale, gjendjen e rëndë ekonomike, korrupsionin dhe shumë e shumë dukuri të tjera negative.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Halimi, cili do të jetë partneri juaj i koalicionit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Disa media dhe analistë kanë parashikuar se PDSh-ja sërisht do të jetë në koalicion me VMRO-DPMNE-në.

ILJAZ HALIMI
Po ato janë çështje, për të cilat mund të bisedohet pasi të kryhen zgjedhjet parlamentare dhe në varësi të forcave politike që do të dalin fituese nga këto zgjedhje, edhe do të shqyrtohet mundësia e koalicionit. Për të natyrisht vendimin do ta marrë kryesia e partisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Maqedonia festoi 14 vjetorin e pavarësisë. Si e shihni pozitën e shqiptarëve 14 vjet pas formimit të këtij shteti?

ILJAZ HALIMI
Për fat të keq pozita e shqiptarëve u përcaktua pas deklaratës për pavarësi të Maqedonisë në vitin 1991, po ashtu dhe pas miratimit të kushtetutës, si kolektivitet i dorës së dytë, i cili nuk arriti të pozicionohet në kushtetutë si element konstitutiv. Kështu vazhdoi gjendja e rëndë në të gjitha segmentet e jetës shoqërore, në kulturë, arsim, por edhe sa i përket të drejtave të tjera kombëtare. Edhe pse u bënë disa ndryshime pas vitit 2001 në kushtetutën që bazohej në Marrëveshjen e Ohrit, në fakt ato ngelën vetëm në letër. Praktikisht vazhdon situatë e njëjtë sa u përket të drejtave shqiptare. Edhe më tutje vetëm 1.5 përqind e buxhetit nga Ministria e Kulturës ndahet për kulturën shqiptare, njëlloj ndodh edhe përsa i përket arsimit për arsimimin e shqiptarëve. Vazhdon gjendje e rëndë sa i përket sigurisë në përgjithësi, po ashtu sa u përket çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me punësimin, me rastet sociale, me përdorimin e gjuhës, me përfaqësimin. Pra kemi një shkuarje mbrapa dhe jo para dhe lirisht mund të them se situata është e pandryshuar në raport me para vitit 1998. Sa i përket periudhës 1998-2000 që ishte PDSH-ja në pushtet me VMRO-në pati një lëvizje shumë të madhe në këtë drejtim, në drejtimin e avancimit të të drejtave të shqiptarëve. Tani për fat të keq ato gradualisht rrënohen dhe shkohet drejt kthimit në sistemin e mëparshëm komunist.

Intervistoi: Vullnet Poshka


XS
SM
MD
LG