Ndërlidhjet

logo-print

NË VJENË DO TË TAKOHEN MINISTRAT E PUSHTETIT LOKAL TË KOSOVËS DHE SERBISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri, pritet të takohet këtë të premte në Vjenë me homologun e tij nga qeveria e Serbisë, Zoran Lonçar dhe me koordinatoren e qeverisë serbe për Kosovën, Sandra Rashkoviq-Iviq, për të diskutuar çështjen e decentralizimit, si dhe disa çështje të tjera teknike që ndërlidhen me pakicën serbe në Kosovë.
Administrata e UNMIK-ut dhe kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, e kanë përkrahur ministrin Haziri për realizimin e këtij takimi. Shefja e departamentit për informim publik në administratën e UNMIK-ut, Hua Jiang, tha se misioni ndërkombëtar vazhdimisht i ka inkurajuar takimet e tilla ndërmjet fqinjëve:
“Dialogu i drejtpërdrejtë është një çështje normale që duhet zhvilluar ndërmjet fqinjëve dhe siç dihet, shefi i UNMIK-ut vazhdimisht ka bërë trysni mbi të dy palët që të takohen”, tha Hua Jiang. Zyrtarja e UNMIK-ut, tha po ashtu se qeveria tani ka më shumë kompetenca që për këto çështje të flasë vetë me Beogradin, si për agjendën ashtu edhe për vendin e takimit. Në anën tjetër, këshilltari i parë i kryeministrit të Kosovës, Avni Arifi, tha se kryeministri Kosumi i jep mbështetjen e vet ministrit Haziri që të bisedojë me Beogradin për të gjitha çështjet teknike, që nuk prekin në çështjen e statusit të Kosovës:
“Është një vizitë informative, ka të bëjë me decentralizimin në përgjithësi, për kthimin e dokumenteve kadastrale si dhe për nënshkrimin e protokollit, i cili është në përgatitje e sipër. Të gjitha këto janë çështje të cilat janë me interes për zhvillimet në shoqërinë kosovare," tha Arifi.
Lidhur me decentralizimin, Arifi tha se përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës më tepër kanë për qëllim ta informojnë qeverinë serbe për idetë dhe projektin e qeverisë, të cilin aktualisht po mëton ta zbatojë. Në vështrime e analiza të tjera, thuhet se takimi i Vjenës që pritet të mbahet këtë të premte, hyn në kuadër të kërkesave të ambasadorit Kai Eide bërë qeverisë së Kosovës, që çështja e decentralizimit të bisedohet dhe me Beogradin dhe ndër tjera për t’i shikuar dhe mundësitë e përfshirjes së partisë më të madhe serbe në Kosovë në këtë proces, gjegjësisht të Listës Serbe për Kosovën e Metohinë. Lideri i kësaj partie, Oliver Ivanoviq, thotë se deri më tash nuk ka qenë në dijeni për një takim të tillë, por ai pret që të jetë i ftuar për të marë pjesë:
“Asnjë çështje që diskutohet në lidhje me Kosovën nuk mund të shtrohet për debat pa praninë e serbëve të Kosovës”, thotë Ivanoviq, duke shtuar se vendi i Beogradit në këto bisedime është i padiskutueshëm, por edhe i serbëve të Kosovës, gjithashtu.
Takimi i paralajmëruar në Vjenë paraqet takimin e parë zyrtarë ku decentralizimi do të shtrohej në diskutim në nivele të tilla ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Ndërkohë që dialogu teknik Prishtinë - Beograd është instaluar tashmë dhe ai funksionon në kuadër të katër grupeve të përbashkëta që takohen çdo tre muaj.





XS
SM
MD
LG