Ndërlidhjet

logo-print

BANORËT SERBË NUK JANË LARGUAR NGA FSHATI PREOC


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

I banuar nga shumicë serbe, fshati Preoc që ndodhet jo larg Graçanicës, rreth pesë kilometra në juglindje të Prishtinës, bën jetën e vet, pothuajse si të gjitha fshatrat e Kosovës. Ndihmat sociale, bujqësia, tregtia e vogël dhe gjeturia individuale janë përditshmëria e banorëve të këtij fshati, të cilët ndryshe nga shumë fshatra me shumicë serbe të Kosovës, kanë vazhduar të jetojnë në shtëpitë e tyre, duke shpresuar për ditë më të mira. Rreth 1000 banorët e fshatit Preoc, që sipas planit të decentralizimit parashihet të jetë pjesë e komunës provuese të Graçanicës, jetojnë nga ndihmat sociale që marrin nga Serbia, por ata që janë më të shkathtë bëjnë edhe ndonjë biznes të vogël, ose punojnë tokën.
Suzana Petroviq 30 vjeçe është nënë e katër fëmijëve. Ushqimi dhe shkollimi i fëmijëve janë preokupimi kryesor i saj::
"Marrim një ndihmë minimale prej 5 mijë dinarësh që bëjnë rreth 60 euro dhe nuk janë të mjaftueshme as për blerjen e librave për një nxënës," thotë zonja Petroviq.
Disa nga banorët janë gjetur si kanë mundur. Kioskat i kanë shndërruar në shitore. Dobrinka Filipoviq thotë se në këtë fshat nuk jetohet edhe aq keq:
"Nuk është keq. Punojmë kopshtin, arat e nga pak punoj edhe në kioskë," thotë Dobrinka Filipoviq, për të shtuar se nga pak frikësohet kur shkon në arë, pasi ajo është përtej hekurudhës, por deri më tash nuk kanë pasur probleme. Burri i saj Vidosavi, 72 vjeç, pensionin e tij e harxhon për ilaçe:
"Jetojmë nga toka, pasi pensioni është i vogël. Përpara kemi jetuar mirë dhe kemi pasur para, por tash nuk kemi asgjë," thotë plaku Vidosav, për të shtuar se nuk guxon të lëvizë përtej enklavës së Graçanicës.
Edhe Ivan Arsiq, një i ri, thotë se jeta e të rinjve është e kufizuar:
"Të rinjtë nuk kanë liri të lëvizjes. Shëtisim nëpër Graçanicë, por nuk kemi ku të dalim, pos këtyre fshatrave serbe," thotë Ivani 23 vjeç, i cili megjithatë nget një furgon për çdo ditë në relacionin Graçanicë-Mitrovicë:
"Ngas një furgon Graçanicë-Mitrovicë, ia dal disi në krye me të ardhurat," thotë Ivan Arsiq.
Në fshatin Preoc jetojnë edhe 250 pjesëtarë të pakicës rome. Sadri Gigjiq, 17 vjeç, ka punuar në minierën e Kishnicës, ndërsa sot jeton nga tregtia:
"Jetojmë me shpresën se një ditë do të bëhet më mirë. Më e rëndësishmja është liria e lëvizjes," thotë Gigjiq.
Sidoqoftë, banorët e këtij fshati thonë se janë të vendosur tash për tash që të mbeten në fshatin e tyre, edhe pse e ardhmja, sipas tyre është e paqartë.
Zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësues të zyrës së UNMIK-ut për kthim dhe komunitete, kanë thënë se vitet e fundit është bërë një përparim i madh në fushën e lirisë së lëvizjes për pakicat. Kufizimet në lirinë e lëvizjes më shumë janë çështje e perceptimit të serbëve për sigurinë, sesa pasqyrë reale e gjendjes, pati thënë pak para përfundimit të misionit në Kosovë, komandanti i KFOR-it, gjenerali Yves De Kermabon.
Sipas statistikave të Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, nga 4100 të zhvendosur për shkak të trazirave të marsit të vitit të kaluar, vetëm 1364 veta kanë mbetur ende të zhvendosur, ndërsa të tjerët janë kthyer. Nga viti 2000 numri i përgjithshëm i të kthyerve është 13 mijë, prej të cilëve 3 144 janë kthyer vetëm gjatë dy viteve të fundit, kryesisht në rajonin e Pejës dhe të Prishtinës.



XS
SM
MD
LG