Ndërlidhjet

logo-print

SOREN JESSEN PETERSEN: ËSHTË MOMENTI KUR LIDERËT KOSOVARË DUHET TË TREGOJNË UNITET


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara Soren Jessen Petersen, ka kërkuar sot nga të gjithë faktorë politikë në Kosovë që të punojnë bashkarisht në përmbushjen e standardeve, për të mundësuar fillimin e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në shkollën fillore " Elena Gjika" në Prishtinë.
"Ne presim që presidenti i Kosovës të marrë përsipër udhëheqjen në këtë drejtim dhe po ashtu presim që presidenti ta bëjë tërësisht të qartë këtë pozitë se Kosova do të shkojë e bashkuar drejt bisedimeve për statusin," ka thënë zoti Jessen Petersen. Duke folur për akuzat ditëve të fundit të opozitës ndaj qeverisë së Kosovës dhe kërkesave për dorëheqjen e kryeministrit, zoti Jessen Petersen tha se udhëheqësit kosovarë duhet t'i sqarojnë prioritetet e tyre, që nënkuptojnë një zbatim të vazhdueshëm të standardeve dhe decentralizimit.
"Duhet të sigurojmë se do të arrijmë të nxjerrim rekomandime pozitive nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që bisedimet për statusin të fillojnë," tha shefi i UNMIK-ut, duke rikujtuar qëndrimin e deritashëm të presidentit të Kosovës se në këto bisedime kosovarët do të hyjnë të bashkuar.
Lidhur me paralajmërimet e opozitës për mundësinë e mbajtjes së protestave në shenjë kundërshtimi me punën e deritashme të qeverisë, zoti Jessen Petersen tha se protestat janë pjesë e një shoqërie demokratike përderisa janë në përputhje me ligjin.
"Por unë besoj se ne nuk do ta shfrytëzojmë energjinë në drejtim të gabueshëm, meqë i vetmi drejtim në të cilin duhet të përqëndrohemi është ai për bisedimet mbi statusin, në mënyrë që të mund të përballemi me sfidat e shumta", tha Petersen.
Në këtë kuadër ai foli edhe për forumin e Kosovës, një mekanizëm ky, qëllimi parësor i të cilit është të krijojë një platformë të përbashkët të të gjitha forcave politike dhe për t'i përgatitur ato për të hyrë në bisedimet rreth statusit.
"Mendoj se është e qartë që tashmë kemi një president, i cili ka paralajmëruar se është sëmurë, por është në zyrë. Ai mund të ketë disa kufizime në punën e tij, dhe unë nuk e di nëse ai do të jetë në pozicion të marrë pjesë menjëherë në forum", tha zoti Jessen Petersen, për të shtuar se megjithatë, ajo që tani nevojitet, është që presidenti të marrë udhëheqjen menjëherë dhe të ushtrojë përgjegjësitë që ka. Sipas tij ky është momenti për të treguar një unitet, aq më tepër nëse merret parasysh fakti se Kosova asnjëherë nuk ka qenë më afër përmbushjes së synimeve të veta.



XS
SM
MD
LG