Ndërlidhjet

IVANOVIQ: SERBËT NUK DO MARRIN PJESË NË PROCESIN E DECENTRALIZIMIT, NËSE ZBATOHET PLANI AKTUAL I QEVERISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Subjekti më i madh politik që përfaqëson serbët e Kosovës, me emrin Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, e ka ripërsëritur sot qëndrimin se nuk do të marrë pjesë në procesin e decentralizimit, përderisa pilot-komunat e banuara me serbë të mos përbëjnë shumicën e padiskutueshme me këtë komunitet. Këtë qëndrim, Lista Serbe ia ka kumtuar shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, përderisa është paralajmëruar dhe nja takim i ngjashëm me kryeministrin Bajram Kosumi. Lideri i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq, tha pas takimit me Jessen-Petersenin se decentralizimi është një çështje jetike për serbët e Kosovës, por modeli i prezantuar nga qeveria Kosumi, sipas tij është i papranueshëm për serbët:
“Pilot projektet si Graçanica e Parteshi, nuk mund të fillojnë të zbatohen nëse ne nuk marrim pjesë, kurse ne nuk mund të marrim pjesë, nëse projekti parasheh që këto komuna të kenë një përbërje popullate prej 50 me 50 përqind”, tha Ivanoviq. Sipas tij, Lista Serbe do të përfshihet në decentralizim kur këto dy komuna të reja, si dhe komunat e tjera ku jetojnë serbët, të kenë shumicën absolute me popullatë serbe.
Në anën tjetër zëvendës-kryeministri i Kosovës, Adem Salihaj ka pohuar sot se qeveria ende e ka si opsion të vetin variantin “B” për decentralizimin, por ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të diskutohet decentralizimi me përfaqësuesit e serbëve:
“Nuk mund të them tash se çka mund të bëjmë. Së pari ne duhet ta shikojmë planin. Tash për tash qeveria nuk e ka në plan që ta ndryshoj planin e quajtur “B” dhe se për momentin mbetet në fuqi ai plan”, tha Salihaj. Mirëpo Ivanoviq e ka rikujtuar qeverinë e Kosovës se vlerësimi pozitiv i standardeve në raportin e ambasadorit Kai Eide, varet në rend të parë nga decentralizimi dhe përfshirja e serbëve në këtë proces:
“Nëse nuk do të ketë decentralizim, vlerësoj se kjo do të sillte dëme për të gjithë, kurse edhe vlerësimi i standardeve në këtë rast do të ishte mjaft negativ”, tha Ivanoviq. Ndërkohë duke komentuar takimin e paralajmëruar në nivelin ministror ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për këtë të premte në Vjenë, Ivanoviq tha se dialogu është çdo herë i dobishëm, duke mos parashikuar ndonjë pritje të veçantë nga ai takim.




XS
SM
MD
LG