Ndërlidhjet

GNK PUBLIKON RAPORTIN PËR MITROVICËN


Augustin Palokaj, Bruksel

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka paraqitur sot në Bruksel raportin e fundit për qytetin e Mitrovicës, me të cilin sugjeron zgjidhjen e këtij problemi përmes një autonomie joterritoriale, e cila do ta pamundësonte ndarjen e Kosovës.
Drejtori i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Nicholas Whyte ka thënë në Bruksel, se do të ishte keqinterpretim sikur të thuhej se GNK-ja me këtë raport sugjeron autonomi për serbët në Kosovë. Pa i ngjarë statusit formal të modelit të Bosnje Hercegovinës, serbëve në veri të Kosovës duhet t'u ofrohet një përmbajtje e autonomisë, duke përfshirë transferimin në pushtet për komunat, lirinë e komunave për t'u bashkuar në baza vullnetare dhe koordinimin e roleve përmes njësive serbe në ministritë e qeverisë së Kosovës, thuhet në raportin e GNK-së të publikuar sot. Më tutje, në këto sugjerime të këtij grupi, thuhet se një komisioner i veçantë do të duhet të emërohet nga UNMIK-u për Mitrovicën dhe për pjesën e veriut dhe do të duhej të mbikqyrë krijimin e fondeve për institucionet publike në këtë qytet, duke përfshirë një spital rajonal, universitetin dhe një qendër koordinuese, përkatësisht një njësi në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, për të rregulluar, siç thuhet, strukturat paralele të serbëve në Kosovë, përmes një sistemi joterritorial autonom për edukim. Sugjerimet e GNK-së thonë se zgjidhja e problemit të pjesë së veriut duhet të bëhet në kuadër të procesit të decentralizimit, të cilin serbët e Kosovës dhe qeveria e Serbisë, ende vazhdojnë ta refuzojnë. Në sugjerimet e veta, ky Grup Ndërkombëtar i Krizave nga UNMIK-u kërkon që të nxisë grupet ndërpartiake që të punojnë për bisedimet për statusin e Kosovës, që të fillojnë të zhvillojnë një platformë për të zgjidhur problemin e Mitrovicës dhe të veriut, përbrenda parametrave të cilat përjashtojnë ndarjen e Kosovës dhe stimulojnë decentralizimin substancial, thuhet në këto sugjerime. ICG-ja më tutje thotë se serbëve të Kosovës duhet t'u jepet edhe nënshtetësia e dyfishtë, edhe ajo e Serbisë edhe ajo e Kosovës së pavarur dhe po ashtu t'u garantohet edhe posti i zëvendëskryeministrit.
GNK-ja kërkon po ashtu që të hapet një kanal i ri televiziv i Radiotelevizionit të Kosovës që do të quhej RTK 2 dhe që do të ishte i përkushtuar për serbët.

XS
SM
MD
LG