Ndërlidhjet

PRESIDENTI RUGOVA EMËROI BLERIM SHALËN KOORDINATOR TË GRUPEVE PUNUESE PËR STATUSIN


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ka vendosur që të përshpejtojë procesin e përgatitjeve që do të çojnë deri tek statusi politik i Kosovës dhe ai si president do t'i prijë këtij procesi. Në një komunikatë për opinion, zoti Rugova ka bërë të ditur se ka emëruar publicistin Blerim Shala, që t'i bashkërendojë përpjekjet e grupeve punuese për bisedimet eventuale për statusin përfundimtar. Duke lexuar komunikatën e zotit Rugova, zëdhënësi i tij Muhamet Hamiti tha:
"Për organizim, përshpejtim të punës dhe mobilizim të ekspertëve nga të gjitha partitë politike, shoqëria civile dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, kam emëruar Blerim Shalën, një figurë e respektuar jopartiake, që t'i bashkërendojë përpjekjet e grupeve të punës".
Në delegacionin e Kosovës, në rast të, siç thuhet në komunikatë, bisedimeve për statusin përfundimtar, do të jenë edhe kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, kryeministri Bajram Kosumi, Hashim Thaçi nga Partia Demokratike dhe Veton Surroi nga partia "Ora" . Nga forcat politike në opozitë zoti Rugova ka kërkuar që t'i lenë mënjanë divergjencat partiake dhe të bashkohen në përgatitjet për statusin përfundimtar.
Kjo nismë e presidentit fillimisht është përshëndetur nga shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, i cili ka thënë se kjo iniciativë është një shenjë shpresëdhënëse se në çështjet me rëndësi jetësore për të ardhmen e Kosovës, udhëheqësit kosovarë mund t'i lenë anash dallimet. Ai gjithashtu ka përshëndetur emërimin e zotit Blerim Shala, duke thënë se ai është një zgjedhje e shkëlqyer dhe një figurë jopolitike, që do të lehtësojë përpjekjet e grupeve punuese. Ky proces, ka thënë zoti Goldberg, do të jetë një shenjë pozitive se populli i Kosovës do të përfaqësohet mirë.
Shefi i administratës ndërkombëtare Soren Jessen Petersen, ka thënë se me emërimin e një ekipi të unitetit, zoti Rugova ka nënvizuar rëndësinë e të gjithë liderëve për të ecur përpara së bashku.
Edhe kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, nëpërmjet një komunikate, ka shprehur besimin e tij, se është momenti i duhur kur duhet të bëhen përgatitjet për bisedime të shpejta dhe të lihen anash dallimet midis liderëve politikë. Këtë nisëm të zotit Rugova, zoti Kosumi e ka vlerësuar si një hap të rëndësishëm në afrimin e liderëve politikë, i cili do të ndikojë drejtpërsëdrejti në përshpejtimin e procesit negociues për të ardhmen e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës, sipas zëdhënëses Vlora Qitaku, e ka cilësuar deklaratën e zotit Rugova si reflektuese për zhvillimet politike në Kosovë.
"Partia Demokratike e Kosovës, deklaratën e kryetarit të Kosovës zotit Ibrahim Rugova, ndonëse e dhënë pa konsultim paraprak me Partinë Demokratike të Kosovës dhe partitë e tjera opozitare, edhe pse pa u diskutuar në forumin politik të Kosovës, e vlerëson si reflektuese për zhvillimet politike në Kosovë".
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka përshëndetur emërimin e zotit Shala si bashkërendues të grupeve punuese, ndërkaq për përbërjen e delegacionit ka thënë se reflekton unitetin politik të Kosovës.
Ernest Luma, zëdhënës i Aleancës ka ritheksuar edhe njëherë qëndrimin e kësaj partie rreth statusit përfundimtar.
" Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës rithekson qëndrimin e saj se pavarësia e Kosovës nk do të negociohet. Bisedat me bashkësinë ndërkombëtare dhe me shtetet fqinje do të përqëndrohet në çështjet me interes për Kosovën dhe për stabilitetin në rajon."
Edhe Veton Surroi nga partia në opozitë "Ora" ka përshëndetur nismën e presidentit të Kosovës.
Labinot Salihu nga kjo parti, duke lexuar komunikatën e zotit Surroi, tha se për këtë dhe ide të tjera të mundshme, që mund të dalin në sipërfaqe gjatë ditëve të ardhshme, duhet biseduar në forum, në vendin i cili është paraparë për ndërtimin e konsensusit.
"Kryetari i partisë "Ora" Veton Surroi, përshëndet përpjekjen e kryetarit Dr. Rugova, që edhe në këtë gjendje të përkëqesuar shëndetësore, ndërmerr iniciativa të përshpejtimit të procesit përgatitor për bisedimet rreth statusit të Kosovës".
Udhëheqësi i Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë Oliver Ivanoviq, ndërkaq ka thënë se përbërja e delegacionit kosovar për statusin, është një delegacion shqiptarësh. Ai ka paralajmëruar formimin e një delegacioni të veçantë, që do të përbëhet prej serbëve të Kosovës, i cili sipas tij do të ketë status dhe trajtim të barabartë si palë e tretë në bisedime.



XS
SM
MD
LG