Ndërlidhjet

RUGOVA, GOLBERG DHE PETERSEN DISKUTOJNË PËRGATITJET PËR NEGOCIATAT MBI STATUSIN


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ka thënë sot se me gjithë insistimin e tij për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, udhëheqësit shqiptarë megjithatë duhet t'i bëjnë përgatitjet e nevojshme për bisedimet e mundshme mbi statusin përfundimtar.
Në këtë frymë, tha zoti Rugova, ka qenë edhe vendimi për të përshpejtuar përgatitjet që do të çojnë deri tek statusi përfundimtar. Ai i bëri këto komente, pas takimeve të sotme që ka zhvilluar me shefin e zyrës amerikane në Prishtinë Philip Goldberg dhe shefin e adminsitratës ndërkombtëare në Kosovë Soren Jessen Petersen.
"Ky është një akt pozitiv, pra në rrugën ndërkombëtare që të jemi të përgatitur për bisedat e mundshme."
Me këtë rast presidenti i Kosovës ka falenderuar të gjitha grupet politike për mbështetjen që i kanë dhënë nismës së tij, duke thënë se kjo është një shenjë e mirë që dëshmon se të gjithë duhet të punojnë së bashku, në realizimin e zotimeve për ta bërë Kosovën shtet të pavarur. Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë Philip Goldberg, tha se nisma e zotit Rugova është një shenjë pozitive.
"Unë dhe të tjerët e kemi mirëpritur si një shenjë pozitive në përpjekje për t'i bashkuar njerëzit në këtë periudhë shumë të rëndësishme dhe për të ecur përpara në këto ditë të rëndësishme për Kosovën," tha zoti Goldberg.
Shefi i administratës ndëkombëtare Soren Jessen Petersen tha se çdokush tani e kupton, se vëmendja duhet të jetë e përqëndruar tek uniteti dhe gjithëpërfshirja.
"Unë do të vazhdoj t'ju përkrah juve dhe të përkrah partitë politike duke bërë çdo gjë që UNMIK-u mund të bëjë për të siguruar ecjen tonë përpara pa kurrfarë ndalesash drejt procesit vendimtar për statusin e Kosovës," ka thënë zoti Jessen Petersen.
Ky i fundit është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçin, i cili tani është anëtar i delegacionit që do ta përfaqësojë Kosovën në bisedimet e mundshme mbi statusin. Ai tha se propozimi i zotit Rugova do të jetë temë diskutimesh javën që vjen, në takimin e ardhshëm të forumit politik të Kosovës.
"Është një ide, e cila do të diskutohet në forumin politik, por Partia Demokratike e Kosovës vazhdon mban qëndrimin shumë të qartë se çdo konsensus i arritur mes spektrin politik, do ta respektojë dhe do të jetë e ndërgjegjshme në zbatimin e atij konsensusi."
Ndryshe presidenti i Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të miratojë përcaktimin e tij në emërimin e ekipit të unitetit, kërkesë kjo, e cila duhej të diskutohej në mbledhjen e sotme të kryesisë së Kuvendit, por që për shkaqe teknike, vetë mbledhja është shtyrë për të hënën e ardhshme.
XS
SM
MD
LG