Ndërlidhjet

logo-print

NJU JORK


Reformat në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe lufta kundër terrorizmit kanë qenë temat që dominuan në samitin e 60 të asamblesë së përgjithshme të OKB-së.
Sekretari i përgjithshëm Kofi Anan, ka lutur liderët botërorë që të përmbushin plotësisht reformat e OKB-së.
"Le të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin dhe me njerëzit në OKB. Ende nuk kemi arritur një reformë fundamentale, që unë dhe shumë të tjerë besojnë se është kërkuar. Dallimet e ashpra, kanë bërë që të pengohet kjo", ka thënë Annan, duke shtuar se duhet ndërmarrë hapa të guximshëm dhe të përbashkët për të luftuar varfërinë dhe për të promovuar sigurinë botërore.
Edhe presidenti amerikan George Bush bëri thirrje për reforma në organizatën botërore, me qëllim që Kombet e Bashkuara të gëzojnë respekt dhe të jenë efikase:
"Kombet e Bashkuaat duhet të jenë të fuqishme dhe efikase, të cliruara nga korrupsioni dhe t'u japin llogari popujve që ju shërbejnë. Kombet e Bashkuara duhet të mbrojnë integritetin dhe jetën në bazë të standardeve, që vetë i kanë caktuar për të tjerët", tha presidenti amerikan, që më pas pjesën më të madhe të fjalimit ia kushtoi luftës kundër terrorizmit:
"Duhet të dërgojmë një mesazh të qartë tek sundimtarët e regjimeve të paligjshme, që sponsorizojnë terrorizmin dhe krijojnë armë të shkatërrimit në masë: 'Ju nuk do të lejoheni që të kërcënoni paqen dhe stabilitetin e kësaj bote", tha Bush për të shtuar:
"Duhet t'i mundim terroristët në fushën e betejës, dhe t'i mundim ata në betejat e ideve. Duhet t'i ndryshojmë kushtet, që u lejojnë terroristëve të lulëzojnë dhe rekrutohen dhe duhet të ngjallim shpresën e lirisë te miliona njerëz, që kurrë nuk e kanë përjetuar atë", tha presidenti amerikan, duke u bërë thirrje vendeve të OKB-së që të vazhdojnë përkrahjen për popullin e Irakut.
Në shënimin e 60 të themelimi të organizatës botërore, presidenti pakistanez Pervez Musharraf tha se reforma në këtë organizatë do jetë boshe përderisa varfëria masive, uria dhe sëmundjet kanosin shumë nga vendet anëtare:
"Duhet ndërmarrë hapa substancialë dhe konkretë për të kuptuar qëllimin e dhënies fund varfërisë dhe sigurimit të një jete të dinjitetshme për të gjithë njerëzit tanë. Është e mundur që vullneti politik do i japë fund varfërisë globale", tha Musharraf.
Bashkimi Evropian, ndërkaq ka thënë se tashmë ka kryer reformat në fushën e bujqësisë dhe është duke pritur përkushtimin e qartë nga Uashingtoni.
XS
SM
MD
LG