Ndërlidhjet

logo-print

SHQIPTARËT DHE SERBËT ME QËNDRIME TË NDRYSHME PËR RAPORTIN E GNK-SË MBI MITROVICËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i fokusuar në problemin e Mitrovicës në Kosovë, interpretohet në mënyra të ndryshme. Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës Adem Salihaj, tha dje se qeveria nuk i përkrah nismat që shpien drejt autonomisë territoriale, apo ato nisma që nxitin reaksione për ndarjen e Kosovës, opozita thotë se përveç asaj që nuk pajtohet me modelet e autonomisë, vlerëson se raporti i GNK-së dëshmon për urgjencën e zgjidhjes së problemit të Mitrovicës dhe dështimin e bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e këtij problemi.
Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, nuk sheh ndonjë arsye për dhënien e autonomisë ndonjë pjese të Kosovës, por kërkon që institucionet ta përmirësojnë pozitën e pakicave në Kosovë.
"Qëndrimi jonë si Parti Demokratike është se definitivisht Kosova duhet të bëjë përpjekje që në formën maksimale t'u sigurojë të drejtat dhe garancitë serbëve të Kosovës, që të marrin pjesë në jetën publike, ndërsa mos preferohet qasja e autonomive territoriale, sepse ato do ta bënin Kosovën e ardhme një shtet jofunksional".
Në anën tjetër Dragisha Krstoviq, nga Lista Serbe për Kosovën dhe Metohinë kërkon që modeli i ofruar për veriun e Kosovës, të aplikohet edhe në komuna të tjera ku serbët përbëjnë shumicën.
"Raporti është në rregull, por nuk është në rregull që mundësia për autonomi nuk u ofrohet edhe për pjesë të tjera të Kosovës siç janë Graçanica, Shtërpca e pjesë të tjera, ku jetojnë serbët," thotë Krstoviq. Ai pohon gjithashtu se krahas autonomive, ndarja e Kosovës nuk duhet të lihet anash në kuadër të opsioneve që ofrohen për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Po në lidhje me problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët, që jetojnë në veriun e qytetit të Mitrovicës, sot kryeministrin Kosumi e kanë vizituar përfaqësuesit e Këshillit të Qytetarëve të Veriut të Mitrovicës. Musa Myftari nga ky këshill tha se çështjet politike që ofrohen në raportin e Grupit të Krizave, nuk mund të trajtohen nga Këshilli i Qytetarëve por nga qeveria. Sidoqoftë ai tha se pret nga qeveria që t'i adresojë problemet që rëndojnë jetën e këtyre banorëve.
"Çfarë do të thotë autonomia dhe çfarë përmban ajo fjala autonomi, çfarë do të thotë ajo nuk e kuptojmë shumë. Por mundet të bëhet shumë për ndihmë të qytetarëve në kuptimin e ndihmës sociale dhe ekonomike dhe se mundet të bëhet kthimi i qytetarëve në pjesën veriore të qytetit. Për këtë jemi mëse të bindur se kjo mundet të bëhet."
Në anën tjetër Milan Ivanoviq, kryetar i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës thotë se raporti i Grupit të Krizave në fakt sjell opsionin se si mund të arrihet deri tek pavarësia e Kosovës.
"Grupi Ndërkombëtar i Krizave ofron qartë kushtet për një Kosovë të pavarur në kuadër të kufijve aktualë të Kosovës," thotë Ivanoviq, duke e kundërshtuar këtë raport për faktin se ai sipas tij nuk e njeh përfshirjen e Kosovës në kuadër të kufijve të Serbisë.
Në përgjithësi raporti i Grupit të Krizave, varësisht nga kush dhe si komentohet, si përfundim i përbashkët për të është theksimi i faktit se problemi i Mitrovicës kërkon një zgjidhje të menjëhershme.

XS
SM
MD
LG