Ndërlidhjet

BESA: SHPËRNDARËSIT E DROGËS KEQTRAJTOJNË PËRDORUESIT E DROGËS


Bekim Bislimi, Prishtinë

Është e qartë që heroina shkatërron, por është e papërballueshme situata kur organizmi kërkon drogën dhe pavarësisht përpjekjeve për t’iu shmangur konsumimit të saj, kjo është e pothuajse e pamundur, thotë një vajzë 25 vjeçare nga Prishtina, e cila konsumon substancat narkotike tash e 5 vjet.
"Unë jam Besa dhe e konsumoj drogën që pesë vjet dhe akoma jam duke e bërë. Sot kam marë dhe jam duke marë ende".
Në anën tjetër, defektologu Safet Blakaj, drejtues i Qendrës mediko-psikoterapeutike “Labirint”, qendër e cila në Prishtinë merret me trajtimin e personave të varur nga substancat narkotike, thotë se nuk egzistojnë të dhëna të sakta për numrin e këtyre personave, por sipas tij, ai është i madh dhe vazhdon të shtohet.
"Ne tani veç sa kemi filluar të merremi me pasojat dhe unë sipas këtij trendi, pres që në 3, 4 vitet e ardhshme të shpërthejë kjo problematikë tek ne. Fatkeqësisht nuk ka programe të unifikuara parandaluese në Kosovë".
Vajza që tha se quhej Besa, thekson se të shumtën e rasteve dozat e heroinës i siguron nga shpërndarësit e mjeteve narkotike dhe se me disa prej tyre edhe shoqërohet.
"Ka shumë shpërndarës, tepër madje për këtë Kosovë të vogël. Ka shpërndarës që kanë shumë, ka shpërndarës që kanë më pak. Më tepër në sasi të mëdhaja vijnë, pastaj shpërndahen. Vjen prej të gjitha anëve. Shpërndarës ka boll, sa të duash, edhe narkomanë kanë bërë sa të kesh qef. E pastaj po u shkon biznesi, po lidhet. Sigurisht që ka rregulla aty, është e organizuar gjithshka, a po kupton? Nuk është diçka që ndodh veç kështu rastësisht. Është e planifikuar mirë."
Besa shton se një numër i shpërndarësve të mjeteve narkotike, i konsumojnë edhe vetë ato, por jo rrallë kur ua japin personave të varur nga këto substanca, i keqpërdorin ata.
"Ka edhe shumë që duan të bëjnë shumë sende të fëlliqta me një fjalë, për të arritur derisa ta gjejnë të bëjnë pare. Ka lloj lloj mënyra me bërë pare. I shfrytëzojnë, sidomos femrat, në mënyrën më të keqe, që duhet t'i bëjë patjetër e pastaj me i dhënë drogë e sende. Duken njerëz shumë të mirë, shumë të butë, shumë të qetë, thuaj se s'ka si këta njerëz. Por ama është krejt ndryshe. Kur fillojnë me lujt me ty është krejt tjetër."
Këtë e pohon edhe defektologu Blakaj.
"Në fakt rreziqet për të siguruar dozën ditore, unë i vë re prej intervistave të klientëve të mi, që shpesh herë kalojnë në veprime të rrezikshme, në kontakt të drejtpërdrejtë me shpërndarësit. Pastaj mosmundësia për t'i kryer shërbimin e caktuar shpërndarësit, atëhere rrezikojnë edhe veten për t'u marrë me veprime të tjera kriminale. Kjo është një problematikë më vete dhe duhet ndoshta më tepër që me këtë problematikë të merren edhe institucionet e tjera, siç është policia, gjyqësia."
Ndërkaq, Besa thotë:
"S'ka shanc. S'ma merr mendja. Këtu tek ne në Kosovë është çudi e madhe. Më së pari sa drogë ka këtu s'ta merr mendja. Është problem i madh."
Ndryshe shpreh mendimin defektologu Blakaj.
"Nuk mund të themi se është e pandalshme. Sigurisht që duhet organizuar më mirë. Është më së lehti që gjithë fajin t'ua vemë institucioneve, mirëpo edhe njerëzit nuk janë aq të interesuar, ose grup njerëzish, që të mblidhen, të përgatisin, t'ju ofrohen institucione të ndryshme apo organizata të ndryshme, ose të bashkohen institucionet e ndryshme që merren me këtë fenomen për ta përgatitur një strategji më afatgjatë për parandalimin e këtij fenomeni. ME plot siguri mund të them që zvogëlimi i trafikimit ndikon drejtpërsëdrejti në zvogëlimin e fenomenit të narkomanisë."
Në anën tjetër, Besa, ndërsa po futej në një nga toaletet e një lokali, tha se tash e dy javë po mirrte doza nga heroina që, siç tha ajo, ia kishin falur disa “miq” dhe se në atë moment, e ndjente nevojën për të konsumuar dozën e caktuar, të cilën e shpërndau në dy linja për t'i futur në organizëm përmes hundës. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë ajo tha:
"Mora boll, heroinë mora, s'po di çfarë me thënë, a po kupton? S'po mundem të flas tani për këtë send a po kupton? Jam në ndikim të saj dhe s'di çfarë të them. Më fal s'po mundem. Kam vjellë e s'po mundem me fol."
Defektologu Blakaj tha se narkomania mund të marë trajtën edhe të infeksionit në kuptimin social dhe se ai duhet të trajtohet edhe si fenomen epidemiologjik, rreziku nga i cili, siç tha ai, është mjaft i madh.


XS
SM
MD
LG