Ndërlidhjet

logo-print

ÇEKU: NUK DO NXITOJMË NË PRIVATIZIMIN E GJIGANDËVE EKONOMIKË, TREPÇES DHE KEK-UT


Ethem Çeku, Ministër i Energjetikës dhe Minierave në qeverinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ministër, ju sot keni patur takim me përfaqësues të Bankës Botërore. Cilat janë qëndrimet e institucioneve monetare ndërkombëtare lidhur me strategjinë e zhvillimit në Kosovë?

ETHEM ÇEKU
Tani kemi folur për strategjinë e zhvillimit të energjetikës në Kosovë dhe në këtë drejtim e kemi një përkrahje të plotë nga banka botërore. Ata na kanë akredituar një ndihmë prej 15 milion euro, për të përkrahur institucionin tonë, ministrinë tonë në disa fusha të caktuara dhe ne tani jemi duke i finalizuar ato punë paraprake dhe hymë në fazën tjetër të zhvillimeve që kanë të bëjnë me ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në Kosovë, ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë prej 1 200 MW dhe po ashtu për rehabilitimin e Kosovës. Kurse sa i përket fazës tjetër programit zhvillimor, në këtë drejtim agjencioni evropian, Banka Botërore dhe USAID-i, janë duke na ndihmuar në hartimin e strategjisë zhvillimore për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësues të institucioneve monetare ndërkombëtare disa herë kanë theksuar se çështja e statusit është një barrierë për përkrahjen financiare të Kosovës. A ka evoluar ky qëndrim bashkë me gjithë procesin që po shkon në drejtim të përcaktimit të statusit?

ETHEM ÇEKU
Po ka evoluar. Banka Evropiane për Zhvillim ka bërë hapa të mirë në këtë drejtim dhe tani ne kemi marrë një përkrahje financiare, edhe pse është mjaft e vogël, nga Banka Evropiane për Zhvillim. Po ashtu edhe Banka Botërore ka vendosur dy strukturat e saj në dispozicion që janë: IFC-ja, Organizata ndërkombëtare për Financim, që është strukturë e Bankës Botërore dhe MIGA, e cila ka marrë përsipër riskun politik. Krahas arritjes së zgjidhjes së statusit politik të Kosovës dhe në aspektin financiar, Kosovës kanë filluar t'i hapen dyert dhe ne presim vitin 2006 që këto dyer të hapen tërësisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi tek statusit, së fundi presidenti i Kosovës ka shpallur përbërjen e grupit negociator. Cili është qëndrimi juaj për këtë grup dhe a është spektri politik i Kosovës i gatshëm për bisedat lidhur me statusin?

ETHEM ÇEKU
Sa na përket, ne i përkrahim veprimet e presidentit dhe mendoj që ai i ka lehtësuar punë të madhe të qeverisë. Tani qeveria duhet të mbështetë dhe do të përkrahë formimin e grupeve punuese në këtë drejtim, bashkë me koordinatorin për grupet punuese. Po ashtu mendoj që institucionet e Kosovës janë të përgatitura për të filluar diskutimet rreth statusit politik të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që është partnere e koalicionit qeveritar, pra pjesëmarrëse në qeveri, çfarë pritni nga raporti i ambasadorit Eide dhe nga vetë bisedat për statusin e Kosovës?

ETHEM ÇEKU
Unë kam qenë në disa takime ku ka qenë edhe zoti Eide në qeveri. Ne presim raport real dhe pozitiv në këtë drejtim. Kemi bërë punë shumë të madhe si institucione të Kosovës në këtë drejtim. Po të shikojmë vetëm 6 vjet pas mbarimit të luftës në Kosovë, procesi i integrimit të minoriteteve, krijimi i hapësirave për ta në aspektin e edukimit, lëvizjes së lirë, përfshirjes në jetën institucionale, pasjen e të drejtave në media, domethënë informimit në mediat e tyre, kanë bërë që ne të presim raporte pozitive edhe sa i përket fillimit të standardeve, të cilat qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet kanë punuar dhe janë duke punuar. Ne mendojmë që çështja e këtyre standardeve do të jenë norma, me të cilat ne do të punojmë edhe pas deklaratës apo pas raportit të Eides. Nuk do të jetë një vit i përmbylljes në 2005-ën, por do të jetë raport i punës apo vizion i institucioneve të Kosovës edhe për një periudhë të gjatë kohore. Presim raportin pozitiv dhe mendoj që ky raport do t'i hapë edhe më shpejt dyert për të biseduar rreth statusit politik të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mund të pritet nga këto bisedime për statusin?

ETHEM ÇEKU
Unë personalisht pres vetëm modalitetet e zhvillimit të shtetit të ardhshëm të Kosovës dhe nuk pres ndonjë ndryshim, as nuk jemi të gatshëm të presim ndryshime të tilla. Domethënë unë personalisht pres vetëm modalitetet e ndërtimit të shtetit tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
T'i kthehemi edhe njëherë ministrisë suaj zoti Çeku. Tashmë kanë rifilluar punën minierat e Trepçes. Çfarë janë gjasat për ringjalljen e këtij, që është quajtur gjigand ekonomik i Kosovës.

ETHEM ÇEKU
Tanimë nuk flasim për gjasa flasim për realet. Trepça ka filluar të punojë. Nuk jemi ende të kënaqur me dinamikën e punës që është duke u bërë atje. Ne jemi duke punuar që në këtë tremujor Trepca ta japë provimin e parë dhe provimi i parë është nxjerrja çdo ditë e 400, 500 ton xehe nga minierat e saj. Në Stari Tërg ka filluar të shkojë mirë puna. Në Artan ish Novo Bërd do të presim në fund të këtij muaji, do të rifillojmë dhe aty dhe do të arrijmë, kemi vënë si objektiv 6000- 7000 tonë xehe në muaj, dhe pastaj presim dhe Ajvalinë dhe disa miniera të tjera, të cilat me përkrahjen e qeverisë dhe donatorëve të tjerë do të arrijmë që tërësisht në vitin 2006, tërë kompleksi i Trepçes të fillojë punën në aspektin e prodhimit të koncentrateve. Ne presim që në këtë vit Trepçen ta heqim nga buxheti i konsoliduar i Kosovës dhe gradualisht të lirohemi nga kompanitë publike, të cilat qeveria e Kosovës është duke i financuar prej disa vitesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertët kanë thënë se riorganizimi apo privatizimi në formë kompanish i Trepçes është shpëtimi i vetëm për të. Cili është vlerësimi juaj?

ETHEM ÇEKU
Ne nuk jemi në ngutje në këtë fazë për privatizimin e Trepçes. Kemi investuar si qeveri deri tani 55 milion euro, në KEK kemi investuar mbi 300 milion euro si qeveri, prandaj në këtë fazë jemi të vëmendshëm. Jemi të interesuar për përfshirjen e kapitalit privat në këto dy kompani, mirëpo jemi të interesuar t'i kemi si qeveri, si institucione të Kosovës dhe të kemi pozitën e tyre si struktura udhëheqëse në zhvillimin ekonomik të Kosovës, sepse energjetika, ligniti dhe disa burime të tjera, janë burime jetësore. Prandaj në këtë fazë jemi të interesuar që të ecim me maturi dhe me një ngadalësim në aspektin e privatizimit. Duhet të shohim të gjitha strategjitë e zhvillimit, prandaj do të shkojmë me hapa të vëmendshëm në këtë drejtim.

Intervistoi Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG