Ndërlidhjet

logo-print

NJU JORK


Ministrat e jashtëm të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Kroacisë, janë takuar mbrëmë me nënsekretarin zyrtarin e lartë të departamentit amerikan të shtetit, Nicholas Burns. Temë e kësaj bisede ishte situata aktuale lidhur me gjasët e këtyre tri vendeve, nënshkruese të Kartës së Adriatikut, që ishte e sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, për pranim në NATO. Pas takimit është thënë se "gjasët për anëtarësi mbeten të hapura". Në takimin me zotin Burns në Nju Jork ishin të pranishëm ministri i jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj dhe ministret Kolinda Grabar – Kitaroviq e Kroacisë dhe Ilinka Mitreva e Maqedonisë. Kjo çështje u aktualizua pasi më herët, zyrtari i departamentit amerikan të shtetit, Kurt Volker në Bruksel pat deklaruar se Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se zgjerimi nuk do të ndodhë para vitit 2008 dhe se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia ende nuk janë të gatshme për anëtarësim. Ministraja e jashtme e Kroacisë, Grabar – Kitaroviq ka thënë se "nuk e ka dëgjuar zotin Burns të thotë diçka të këtillë".
XS
SM
MD
LG