Ndërlidhjet

logo-print

BUGAJSKI: KOSOVA PARA VENDIMEVE MADHORE


Janusz Bugajski, drejtor për Evropën Lindore në Qendrën për Studime Strategjike

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë periudhë po presim për raportin e Kai Aides për Kosovën. Nëse raporti është pozitiv, atëherë mund të presim fillimin e procesit të statusit final. Sipas jush, çfarë lloj raporti do të shohim?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se me gjasë do të shohim një raport që është pozitiv në disa fusha, por që do t'i theksoj disa nga mungesat në progresin e demokratizimit, në sundimin e ligjit, në të drejtat e minoriteteve dhe të tjera. Poashtu, raporti do të fokusohet edhe në ekzistimin e korrupsionit dhe në mungesën e profesionalizmit. Shpresojmë se raporti do të jetë kritik edhe ndaj UNMIK-ut, i cili gjithashtu ka shumë të meta. Mendoj se raporti do të jetë pozitiv, në mënyrë të mjaftueshme për të ndihmuar fillimin e bisedimeve për statusin, pak më vonë gjatë këtij viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët ndërkombëtarë thonë se me gjasë bisedat për statusin final do të fillojnë këtë vit. A mund ta përshkruani se kush do të marrë pjesë në këto biseda ose në këtë proces. Po e shtroj këtë pyetje pasi disa analistë janë të sigurtë se statusi final do të vendoset në Këshillin e Sigurimit, ndërsa disa të tjerë thonë se për këtë çështje duhet të vendosë populli i Kosovës?

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoj se do të jetë një përzierje. Me fjalë të tjera, do të ketë delegacione, para se gjithash, nga Kosova, do të jetë një përfaqësi ndërkombëtare, që supozoj se do të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian por edhe me pjesëmarrjen amerikane dhe me gjasë, me anëtarët e tjerë të Grupit të Kontaktit. Kombet e Bashkuara poashtu do të jenë të përfshira në një masë. Mendoj se do të jetë edhe një komponentë nga ana serbe. Në këtë aspekt pikëpyetje e madhe është se a do të jetë thjeshtë Beogradi apo në këtë do të përfshihen liderët e popujve pakicë nga Kosova. Po e përsëris, bisedimet ndoshta do të fillojnë pak më vonë këtë vit, por nuk pres që ato të përfundojnë brenda këtij viti. Me fjalë të tjera, do të krijohet një orar kohor për më tepër negociata specifike për çështje të veçanta.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, sa kohë do të zgjasin këto bisedime?

JANUSZ BUGAJSKI
Pres që deri në pranverë të vitit të ardhshëm do të merren disa vendime madhore. Por, edhe nëse këto vendime do të paralajmërohen paraprakisht, mendoj se ato do të legjitimohen pak më vonë – pra në fillim të vitit pasues.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur propozime nga grupe të ndryshme dhe organizata ndërkombëtare lidhur me statusin final. Sipas jush, cili opsion është më i dëshiruar nga politikë bërësit ndërkombëtarë?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se vendimi më racional për politikë bërësit do të jetë pavarësia për Kosovën, me një plan të mëtejshëm për integrim më të madh ndërkombëtar, veçanërisht ndaj Bashkimit Evropian ose me lidhje më të afërta me BE-në. Pyetja është, ashtu siç e shtruat ju më herët, se çfarë do të jetë përgjigjja e Kombeve të Bashkuara, me fjalë të tjera, ajo e disa anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Mendoj se do të ndërmerren disa hapa për të siguruar anëtarët e Këshillit të Sigurimit se kjo nuk don të thotë domosdoshmërisht se përfaqëson një precedent për vendet e tjera, e që ka të bëjë me territoret, të cilat ende nuk janë definuar. Mendoj se ky proces do të zgjasë më tepër. Në fund të fundit, ndërkombëtarët do ta kuptojnë se pa pavarësi, gjasat për jostabilitet janë shumë më të mëdha se me pavarësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Pyetja e fundit për çështjen e statusit final. Në këtë aspekt, dëshiroj ta citoj gazetën polake Rzheçpospolita. Sipas burimeve të paidentifikuara, gazeta ka shkruar se "Bashkimi Evropian tashmë është pajtuar për pavarësinë e Kosovës". Si e komentoni ju këtë informacion?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se privatisht, shumë diplomatë, shumë liderë në Evropën perëndimore dhe në gjithë Bashkimin Evropian e kuptojnë se ky është opsioni i vetëm i mundshëm, pra e vetmja alternativë. Megjithatë, procesi ende duhet të vazhdojë për ta legjitimuar këtë ndërkombëtarisht, dhe për t'i bindur ata që ende nuk janë të bindur. Ky është qëllimi i negociatave.

Intervistoi Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG