Ndërlidhjet

TEHERAN


Irani i tërhoqi vërejtjen Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore që çështja e krizës bërthamore të Iranit të mos dalë në Këshillin e Sigurimit.
"Këshilla jonë për agjencinë është që rastin e Iranit ta shqyrtojë në mënyrë të logjikshme dhe realiste për të shmangur ndërlikimin e mëtejmë të rastit" tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Hamid Reza Asefi, duke shtuar se Irani do ta vëzhgojë nga afër takimin e nesërm të bordit të drejtuesve të agjencisë në Vjenë.
Ndërkohë zyrtarët nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania, sot në Nju Jork pritet të takohen për të diskutuar zotimin e presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad se Irani do të vazhdojë të prodhojë karburant bërthamor.
Në reagimet e para ndaj fjalimit të Ahmadinejad në Kombet e Bashkuara, ministri i jashtëm francez Philippe Douste-Blazy tha se opcion mbetet dalja e çështjes së Iranit në Këshillin e Sigurimit për sanksione të mundshme.
Sekretari i Jashtëm britanik Jack Straw tha se "fjalimi i presidentit Ahmadinejad ishte dëshpërues dhe i padobishëm".
Më parë, sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice i bëri thirrje Iranit t'u kthehet negociatave me treshen evropiane, Francë, Britaninë dhe Gjermanianë, dhe të heqë dorë nga planet për armët bërthamore.
Në fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme, Ahmadinejad deklaroi:
"Ne besojmë se të gjitha vendet dhe popujt kanë të drejtë për zhvillime teknologjike dhe shkencore në të gjitha fushat, veçanërisht për teknologji paqësore për të prodhuar karburant bërthamor. Nga mundësia e tillë nuk mund të privohen vetëm disa, sepse kjo do të shkaktonte krijimin e monopoleve ekonomike", tha Ahmadinejad, duke u ofruar firmave të jashtme dhe vendeve tjera ta ndihmojnë programin për të dëshmuar se Irani nuk prodhon armë bërthamore.
Ai gjithashtu i akuzoi Shtetet e Bashkuara për shkelje të marrëveshjeve globale bërthamore, dhe tha se parimet e Republikës Islamike nuk lejojnë që vendi i tij të zhvillojë armë bërthamore.
XS
SM
MD
LG