Ndërlidhjet

NUK KA VEPRIME KONKRETE PËR KRIJIMIN E SHËRBIMIT INFORMATIV TË KOSOVËS


Kosova duhet ta ketë shërbimin e saj informativ apo të kundërzbulimit dhe për këtë ka iniciativa dhe gatishmëri, por jo edhe ndonjë veprim që mund të quhet konkret, kanë thënë zyrtarë të qeverisë së Kosovës, ndërkohë që UNMIK-u parapëlqen të mos flasë hapur për këtë çështje. Edhe pse qeveria e Kosovës është e përqendruar në punët lidhur me marrjen e kompetencave nga UNMIK-u në fushë të drejtësisë dhe policisë, zyrtarët e kanë shqyrtuar edhe çështjen e formimit të një shërbimi informativ, tha për Evropën e Lirë, Ramadan Qehaja, këshilltar për siguri i kryeministrit të Kosovës:
"Mirëpo, sipas mendimit tim ne duhet të mendojmë dhe të bëjmë plane se si ta formojmë edhe shërbimin tonë informativ, domethënë për nevojat tona, vendore. Në këtë moment ne nuk mund të shkojmë me formimin e këtyre dy ministrive dhe të shërbimit informativ kombëta."
Mirëpo, zoti Qehaja thotë se tash për tash gjithçka është në nivelin e diskutimeve:
"Diç konkrete lidhur me këtë nuk ka. Janë disa diskutime, biseda, propozime të tjera. Paraprakisht ka qenë një mendim se një shërbim i tillë mund të funksionojë në kuadër të ministrisë së brendshme, që nuk është për t’u hedhur poshtë, pasi deri sa ai nuk formohet si duhet që të jetë në një kapelë për t’u drejtuar dhe më vonë varet nga politika se si do ta trajtojë shërbimin, që mund të jetë nën kompetencat e kuvendit apo direkt të kryeministrit."
Lidhur me atë se kush duhet ta mbikëqyrë këtë shërbim, sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi thotë se duhet vepruar sipas modelit të vendeve të Bashkimit Evropian, ku shërbimet tilla janë në kuadër të ministrisë së brendshme, por segmente të caktuara mund t’i përgjigjen drejtpërdrejt kryeministrit apo presidentit dhe institucioneve të tjera.
Pak ditë më parë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Naim Maloku pati thënë se po punohet në ngritjen e një agjencie informative të Kosovës, e cila do të ndihmonte shumë për zbulimin e pistave të krimeve të rënda dhe të rrjeteve kriminale, ndërkohë që edhe zyrtarë të policisë së UNMIK-ut më herët kanë pasë deklaruar se shërbimi i kundërzbulimit është i domosdoshëm për funksionimin efektiv të një policie. Mirëpo, zyrtarët e UNMIK-ut nuk parapëlqejnë të flasin lidhur me veprimet konkrete në këtë drejtim:
"Çfarëdo diskutimi për shërbimet e kundërzbulimit në Kosovë duhet të adresohen në kontekstin e sektorin e shqyrtimit të sigurisë së brendshme", tha Marcia Poole, zëdhënëse e UNMIK-ut.
Çështja e ngritjes së një shërbimi informativ apo të kundërzbulimit të Kosovës qe ngritur disa muaj më parë, kur partitë politike akuzuan njëra-tjetrën për disponimin e shërbimeve të tilla.
Jakup Krasniqi, zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, që është partia më e madhe opozitare tha se bërthama e këtij shërbimi duhet të jetë Shërbimi Informativ i Kosovës, që njihet tashmë me shkurtesën SHIK:
"Ne edhe me kohë kemi thënë se Kosova ka nevojë për një shërbim informativ të vetin dhe çka është më e mira, Kosova edhe e ka shërbimin informativ që ka punuar para luftës e në mënyrë të veçantë gjatë dhe pas luftës. Është një shërbim informativ që është krejt i legalizuar dhe ka komunikim normal me shërbimet më të fuqishme që janë në Kosovë dhe jemi të bindur se ky është shërbimi i vetëm informativ që e ka Kosova dhe që duhet të institucionalizohet."
Mirëpo, ndërsa parti të tjera politike më herët e kanë cilësuar këtë një shërbim partiak, zoti Qehaja mendon se shërbimi i ri informativ duhet të nis nga zeroja:
"Është thënë se te ne paskan ekzistuar disa shërbime të fshehta partiake etj. Për këtë nuk di pasi nuk kam hyrë në këtë problematikë, mirëpo, sipas mendimit tim duhet të shkojmë me formimin e një shërbimi tonin informativ prej zeros."
Zoti Qehaja tha se kjo nuk do të thotë që njerëzit e shkolluar e te përgatitur që kanë punuar në shërbime partiake nuk mund të punojnë në shërbimin informativ vendor, por parimisht duhet të shkojmë me një shërbim krejtësisht të ri që duhet të formohet për nevojat e Kosovës
Sidoqoftë, këshilltari për siguri i kryeministrit Kosumi, zoti Ramadan Qehaja thotë se tash për tash është me rëndësi bartja e shpejtë e kompetencave në fushë të drejtësisë dhe policisë:
"Është thënë që në fund të nëntorit të fillohet formimi i ministrisë e pastaj diku në fund të shkurtit të vitit të ardhshëm të fillojë së vepruari dhe t’i jepen disa ingerenca më të mëdha."
Zoti Ramadan Qehaja mendon se kjo çështje do rregulluar me ligj dhe jo me rregullore dhe që ministria të quhet ministri e punëve të brendshme dhe jo e rendit. Sidoqoftë, zyrtarët kanë thënë se pikërisht bartja e kompetencave në këto fusha do ta bëjë të domosdoshëm formimin e një shërbimi të kundërzbulimit, në mënyrë që krimi të luftohet në mënyrë më efikase.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG