Ndërlidhjet

logo-print

KRIMI MES SHËRBIMIT INFORMATIV DHE MINISTRISË SË BRENDSHME


Një nga debatet e para me të cilën po përballet qeveria e re në Tiranë, është kalimi i Shërbimit Informativ Shtetëror në Ministrinë e Brendshme. Në debat është përfshirë aktivisht politika, media dhe shumë më pak specialistët.
Ideja e qeverisë është se një ndryshim i tillë duhet bërë për të përballuar dhe luftuar më me efikasitet krimin e organizuar. Demokratët i referohen përvojës së ministrive të brendshme në republikat parlamentare dhe monarkitë konstitucionale të disa vendeve të Bashkimit Evropian. Kundërshtimet më të mëdha vijnë nga opozita e cila thotë se një kalim i tillë revokon kohën e Ministrisë së Brendshme të diktaturës komuniste dhe përvojën negative të shërbimit sekret në kohën e qeverisjes së demokratëve. Disa juristë venë në dukje problemet kushtetuese dhe përplasjet me kopetencat e Presidentit të Republikës. Sipas kushtetutës, kryetari i Shërbimit Informativ dekretohet nga kryetari i shtetit me propozim të kryeministrit. Në një pjesë të medias, ky propozim, që për kryeministrin e ri është një vendim programor që do të vihet shpejt në jetë,- komentohet si përplajsa e parë e kreut të ekzekutivit dhe kryetarit të Shtetit.
Ajo që i ka munguar më së shumti debateve rreth këtij propozimi është zëri i specialistëve dhe efektet që do të japë në terren një vendim i tillë.
Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit është një nga premtimet kryesore të Partisë Demokratike. Togëfjalëshi "me duar të pastra', ka qenë edhe një prej slloganeve të fushatës elektorale. Ligji aktual i ngarkon si detyrë edhe Policisë edhe shërbimit informativ luftën ndaj krimit të organizuar. Aktualisht ka një dublim dhe për shkak të burokracisë efikasiteti në punë i SHISH lë për të dëshiruar. Rruga e përcjelljes së informacionit kalon te Presidenti, Kryeministri dhe më pas tek Ministri i Brendshëm. Gjykuar nga jashtë të krijohet përshtypja se Shërbimi Informativ është më efikas në përballimin e rreziqeve që i vijnë vendit nga jashtë dhe jo eficent në problemet e brendshme.
Një varësi totale e këtij institucioni nën ministrinë e Brendshme do të mbërthente kabinetin e ri në një debat që vetëm sa do të prodhojë tension politik të panevojshëm, por në të njëjtën kohë mund të ngjallë dyshime për efikasitetin e Ministrisë së Brendshme- të etiketuar në media ende pa nisur punë si superministria.
Për të mënjanuar përplasjet institucionale dhe debatet e panevojshme politike mund të merret në konsideratë propozimi i ndërmjetëm (i artikuluar nga specialistë) për të kaluar jo të gjithë SHISH në varësi të ministrisë së Brendshme, por një pjesë të tij- drejtorinë që merret me kërcënimet që vijnë nga brenda vendit. SHISH mbetet si institucion dhe objekt kryesor i punës së tij janë kërcënimet që i vijnë vendit nga jashtë. Një ndryshim i tillë strukturor reflekton problemet me të cilat ndeshet sot shoqëria. Sa herë që strukturohet krimi ngritja e strukturave të reja prish lidhjet e krimit me politikën ose me zyrtarë të institucioneve. Këtë detyrë SHISH mund dhe duhet ta kishte bërë edhe në gjendjen që është, por ose nuk e kanë dëgjuar, ose nuk ka përcjellë informacionet e duhuara. Për të bërë më efikase këtë kalim, natyrshëm që do të duhen edhe ndryshime ligjore. Me ligjin aktual, SHISH ka detyrë vetëm informative, ndërsa me kalimin e shërbimit informativ të brendshëm mund të marrë pjesë më aktive në gjurmimin e krimit. Një ndryshim i tillë mund të shoqërohet edhe me probleme në vetë Ministrinë e Brendshme, mund të prodhojë edhe aty dublim të informacionit, xhelozi.
Cilido qoftë vendimi që do të merret, fakt është që situata e krimit në Shqipëri është alarmante dhe qeveria e re, kërkohet ristrukturim i strukturave përgjegjëse për luftën ndaj tij, por një tension politik dhe përplasje institucionale do të ishte shërbimi më i mirë që mund t'i bëhej ruajtjes së status quos së krimit.

Lutfi Dervishi
XS
SM
MD
LG