Ndërlidhjet

RAJONI PËRBALLET ME SHUMË SFIDA NË SISTEMIN E DREJTËSISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Sistemi i Drejtësisë në Kosovë, si edhe në vendet e tjera të rajonit po kalon nëpër fazën e tranzicionit, duke u ballafaquar dhe me të kaluarën dhe interesat e ndryshme politike, që e lënë këtë sistem ende të fazën e parë të zhvillimit, është thënë sot në një konferencë rajonale mbi drejtësinë dhe tranzicionin të mbajtur në Prishtinë.
Në hapje të konferencës, këshilltari i kryeministrit të Kosovës për çështje juridike, Azem Hajdari, tha se Kosova ka dalë me pasoja e shkatërrime të mëdha nga lufta, sidomos në aspektin njerëzor, por tani, tha ai, megjithatë duhet tejkaluar dhe kjo sfidë për të ecur përpara. Duke pasur parasysh se deri në fund të vitit autoritetet kosovare do të kenë mundësi të formojnë dhe dy ministri të reja, atë të policisë dhe drejtësisë, Hajdari tha se priten zhvillime pozitive në këto fusha, ku edhe Kosova padyshim se po kalon një fazë tranzicioni:
“Synimi i qeverisë është të krijojë një sistem të drejtësisë, sistem të hapur, sistem i cili korrespondon me vlerat më demokratike të shoqërive bashkëkohore. Në këtë drejtim do të krijohet një sistem i drejtësisë ku të gjithë qytetarët do ta ndiejnë vetën të barabartë përballë atij sistemi. Do të krijohen gjykata plotësisht të pavarura, pra një sistem i ri gjyqësor i pavarur do të krijohet në Kosovë”, tha Hajdari.

Në anën tjetër, Ken Yamashita, drejtor i Zyrës së USAID-it në Prishtinë, tha se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pret nga Kosova që të krijojë me të vërtetë një sistem të pavarur të drejtësisë:
“Transferi i kompetencave për Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Rendit, është shumë i rëndësishëm. Ne do ta mirëpresim konceptin që këto dy ministri të jenë të pavarura, dhe që gjykatat të kenë pavarësi në punë në mënyrë që të mos i lejohet politikës të manovrojë në këto fusha”, tha Ken Yamashita.
Ndërkaq drejtori i organizatës joqeveritare, KODI-it, si organizator i konferencës, Dardan Velija, potencoi faktin se në vendet e ish-Jugosllavisë, por edhe në Kosovë, nuk ka pasur gadishmëri për një pajtim pas luftës së përgjakshme, për shkak të interesave të ndryshme politike:
“Duket që të gjithë i mbyllin sytë para një fakti logjik. Pajtimi në Kosovë mund të bazohet vetëm me marrjen seriozisht me të kaluarën dhe me sigurimin e të ardhmes. Këtij fakti Prishtina zyrtare i mënjanohet për faktin se nëse kjo do të thuhej, do të mund të perceptohej se do të dëmtohej procesi i përmbushjes së standardeve, kurse Beogradi zyrtar i mënjanohet për faktin se po të pranohej kjo, në këtë mënyrë do t’i ulej çmimi Kosovës, kurse bashkësia ndërkombëtare po ta pranonte këtë fakt do ta pranonte në një farë mënyre dështimin për t’u marrë me probleme kaq serioze”, tha Velija.
Mysafirja e konferencës nga Beogradi, Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, tha se drejtësia në rajon është në sfidë, pasi që bëhet fjalë për shpërndarjen e një shteti në vende të ndryshme, kështu që tani secili i ka pengesat dhe karakteristikat e veta të zhvillimit. Sidoqoftë, Biserko mendon se Serbia është vendi që e mban jo vetëm vetveten të mbyllur, por edhe rajonin ndaj zhvillimeve të përgjithshme dhe integrimeve evropiane, pasi që politika atje ende nuk është në gjendje ta pranojë përgjegjësinë për të gjithat që kanë ndodhur vitet e fundit në ish-Jugosllavi:
“Është me rëndësi që në Serbi të arrihet një konsensus rreth asaj që me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë, çka deri më tash nuk ka qenë në gjendje ta bëjë jo vetëm politika, por as elita serbe e as ajo intelektuale”, tha Biserko. Sipas saj, pa zhvillimin e një dialogu në Serbi rreth përgjegjësisë së këtij vendi për atë që ka ndodhur në Kosovë, është vështirë që të ketë një dialog të frytshëm ndërmjet shqiptarëve e serbëve në Kosovë.
Konferenca i vazhdon punimet edhe nesër, ndërkaq pritet që në mbyllje apo pas një analize të pikëpamjeve të paraqitura aty, qeverive në rajon t’u dërgohen disa rekomandime lidhur me zhvillimin e sistemit të drejtësisë në këto vende.



XS
SM
MD
LG