Ndërlidhjet

NJU JORK


Grupi i Kontaktit kërkon që liderët e Kosovës ti shtojnë përpjekjet e tyre për sigurimin e implementimit të standardeve në të gjitha nivelet dhe për të siguruar se përkushtimet që janë marrë po zbatohen në aksion konkret. Nga autoritetet e Beogradit kërkohet që të bëjnë çdo gjë të mundshme për ta lehtësuar këtë proces. Kështu, pos tjerash, thuhet në kumtesën e publikuar pas takimit të mbrëmshëm të Grupit të Kontaktit për Kosovën në Nju Jork. Siç informon mëtutje korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, në Nju Jork, Rober McMahon, në këtë takim, drejtorët politikë të Shteteve të Bashkuara, të Gjermanisë, të Francës të Italisë të Britanisë, të Rusisë, së bashku me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, u takuan me kryeadministratorin e Kosovës, Soren Jessen-Petersen dhe me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara, Kai Eide. Duke e ripërsëritur raportin e fundit për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, nga muaji maj i këtij viti, që vlerësonte se në përgjithësi ishte arritur përparim në implementimin e standardeve, Grupi i Kontaktit u pajtua me vlerësimin e ambasadorit Eide se duhet më tepër progres që në Kosovë të krijohet shoqëri multietnike, stabile dhe demokratike, që bazohet në pushtetin e ligjit. Progresi i mëtejmë në standarde duhet të bëhet tash dhe gjatë procesit të ardhshëm të statusit, kur ai të filloj. Grupi i Kontaktit për Kosovën mëtutje ka kumtuar se e mbështet plotësisht punën e ambasadorit Eide dhe pret raportin e tij gjithëpërfshirës. Nëse vlerësohet se progresi është i mjaftueshëm atëherë pritet që sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara të ndërmarrë përgatitje përkatëse ashtu që procesi për status do të mund të fillonte para përfundimit të këtij viti. Është thënë se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të bëhet në harmoni me rezolutën 1244 dhe duke pasur parasysh progresin e rajonit në tërësi drejt integrimeve evro-atlantike.
XS
SM
MD
LG