Ndërlidhjet

logo-print

NJU JORK


Grupi i Kontaktit kërkon që liderët e Kosovës t'i shtojnë përpjekjet e tyre për sigurimin e zbatimit të standardeve në të gjitha nivelet dhe për të siguruar se përkushtimet që janë marrë, po zbatohen në aksione konkrete. Nga autoritetet e Beogradit kërkohet që të bëjnë çdo gjë të mundshme për ta lehtësuar këtë proces.
Kështu, pos tjerash, thuhet në komunikatën e bërë publike pas takimit të mbrëmshëm të Grupit të Kontaktit për Kosovën në Nju Jork.
Siç njofton korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, në Nju Jork, Robert McMahon, në këtë takim, drejtorët politikë të Shteteve të Bashkuara, të Gjermanisë, të Francës, të Italisë, të Britanisë, të Rusisë, së bashku me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, u takuan me kryeadministratorin e Kosovës, Soren Jessen-Petersen dhe me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Kai Eide.
Duke e ripërsëritur raportin e fundit për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, nga muaji maj i këtij viti, i cili vlerësonte se në përgjithësi ishte arritur përparim në implementimin e standardeve, Grupi i Kontaktit u pajtua me vlerësimin e ambasadorit Eide se nevoitet më tepër progres që në Kosovë të krijohet shoqëri multietnike, stabile dhe demokratike, të bazuar në pushtetin e ligjit. Progresi i mëtejmë në standarde duhet të bëhet tash dhe gjatë procesit të ardhshëm të statusit, kur ai të fillojë. Grupi i Kontaktit për Kosovën gjithashtu ka njoftuar se e mbështet plotësisht punën e ambasadorit Eide dhe pret raportin e tij gjithëpërfshirës.
Nëse vlerësohet se progresi është i mjaftueshëm, atëherë pritet që sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara të ndërmarrë përgatitje përkatëse ashtu që procesi për statusin do të mund të fillonte para përfundimit të këtij viti.
Është thënë se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të bëhet në harmoni me rezolutën 1244 dhe duke pasur parasysh progresin e rajonit në tërësi drejt integrimeve euroatlantike.
XS
SM
MD
LG