Ndërlidhjet

PRISHTINË: PRITET ME PROTESTA KOORDINATORJA E QEVERISË SERBE PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefja e Qendrës Koordinuese të Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Sandra Rashkoviq-Iviq ka filluar sot një vizitë në Kosovë. Ndërsa ajo ka vizituar disa fshatra dhe lokalitete të banuara me serbë, vizita e saj në Prishtinë dhe takimi i paralajmëruar me zëvendës-shefin e UNMIK-ut, Larry Rossin në selinë e misionit të Kombeve të Bashkuara, është anuluar për t’u mbajtur në një vend tjetër, për shkak të protestave që u mbajtën sot për afër tre orë para dyerve të UNMIK-ut. Në fakt, lëvizja Vetëvendosje, kishte thirrur një protestë, ku ftoheshin qytetarët që me ardhjen e Sandra Rashkoviq-Iviq në selinë e UNMIK-ut, ata të hedhin vezë të prishura në drejtim të eskortës së saj dhe selisë së UNMIK-ut.
Që nga ora 12:00 kur ishte paralajmëruar ardhja e znj.Rashkoviq-Iviq e deri pak para orës 15:00, forcat policore siguronin ndërtesën, ndërkohë që për shkaqe sigurie, zëvendëskryeadministratori Rossin dhe Sandra Rashkoviq-Iviq janë takuar në një vend tjetër.
Me të mësuar lajmin se takimi ka përfunduar diku tjetër, protestuesit hodhën vezët në drejtim të selisë së UNMIK-ut dhe u shpërndanë të qetë. Ndërkaq në shpalosjen e arsyeve për mbajtjen e kësaj proteste, aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje lexuan deklaratën e tyre para masës së tubuar:
“Vendi i Sandra Rashkoviq Iviq, vetëm në luftën e fundit ka vrarë mbi 10 mijë njerëz të paarmatosur, ka djegur e shkatërruar 120 mijë shtëpi, ka përndjekur rreth 1 milion njerëz, ka dhunuar mijëra femra, ka rrëmbyer mbi 3 mijë persona, shumica e të cilëve ende të pagjetur. Për më tepër, Sandra Rashkoviq-Iviq ka theksuar se bazën e platformës së Beogradit për bisedime për statusin e Kosovës e përbën qëndrimi se Kosova është pjesë e shtetit të Serbisë”, thuhej në këtë deklaratë.
Ndërkohë, mediat serbe kanë njoftuar se koordinatorja e qeverisë së Serbisë për Kosovën, ka vizituar fillimisht Shillovën, një fshat i banuar me shumicë serbe, në komunën e Gjilanit, e më pas edhe Graçanicën.
Ajo u ka premtuar serbëve të Kosovës hapjen e një avokatoreje për serbët, e cila do t’i mbrojë ata para gjykatave të Kosovës.
“Kam ardhur këtu t’ju vizitoj juve që u bëtë heronj duke qëndruar në Kosovë”, citojnë mediat serbe znj.Rashkoviq-Iviq. Me këtë rast ajo u ka premtuar serbëve se avokatorja, do t’u shërbejë atyre që të mbrohen gjatë proceseve gjyqësore që do të ngrihen ndaj tyre nëpër gjykatat e Kosovës. Sipas njoftimeve nga zyra e qendrës koordinuese, Rashkoviq-Iviq do të qëndrojë deri në fund të javës në Kosovë, për ta përmbyllur këtë vizitë në pjesën veriore të Mitrovicës.


XS
SM
MD
LG