Ndërlidhjet

FILLON PROCESI I DECENTRALIZIMIT


Albana Isufi, Hani i Elezit

Hani i Elezit shënoi sot fillimin e zbatimit të pilot-projekteve të decentralizmit, proces ky që sipas zyrtarëve do ta afrojë qytetarin më shumë me autoritetet komunale.
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, në mbledhjen e parë inauguruese të Kuvendit të Përkohshëm të Hanit të Elezit, theksoi se me zbatimin e decentralizimit, Kosova do t’u gjasojë vendeve të zhvilluara evropiane. Por, ai tha se ky proces mund të zbatohet plotësisht në Kosovë vetëm pas zgjidhjes së statusit.
“Decentralizimi nënkupton më shumë se autonomi për qytetarët e secilës komunë të Kosovës, por ai nuk nënkupton vetëm një gjë: shkëputjen, ndarjen, copëzimin dhe korridore”, tha Kosumi.
Zëvendës-shefi i UNMIK-ut, Larry Rosin, ka thënë se inaugurimi i sotëm dëshmon përkushtimin e qeverisë dhe autoriteteve lokalë që në të vërtetë të ecin përpara me procesin e decentralizmit.
“Ju keni punë të madhe para jush dhe ju uroj që po merrni këtë përgjegjësi të madhe. Tash kur u inaugua Asambleja e Përkohshme, mund të krijohen më lehtë strukturat e reja komunale. Njerëzit e Hanit të Elezit dhe të fshatrave përreth të dëshmojnë, siç e keni bërë këtë shumë herë, se sa jeni të dedikuar për ndërtimin e së ardhmen dhe se sa të mirë jeni në këtë çështje”, tha Larry Rosin.
Ndërsa, Ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, e ka quajtur si mjaft sfidues procesin deri në jetësimin e njësisë së parë të pilot -projekteve të decentralizimit.
“Ne jemi të vendosur që qytetarëve të Kosovës, kosovarëve t’u ofrojmë shërbime efikase dhe cilësore në nivel sa më të ulët, nën principin e vendosur nga qeveria e Kosovës. Dokumenti kornizë përcakton këtë angazhim të fuqishëm për të zbatuar me sukses nevojat e qytetarëve tanë”, tha Haziri.
Me inaugurimin e sotëm sipas udhëheqësit të Asamblesë së Përkohshme të Hanit te Elezit, Kadri Kuka, jetësohet një ëndërr e kahmotshme e banorëve të këtij vendi.
“Ëndrra e kahershme e këtij lokaliteti u bë realitet”.
Hani i Elezit është një nga 5 pilot-projektet e decentralizimit. Në dy ditët e ardhshme pritet të inaugurohen edhe dy njësitet e tjera në Mamushë, vend i banuar me komunitetin turk dhe në Junik i banuar me shqiptarë. Por, zyratrët nuk e dinë se kur do të fillojë zbatimi i pilot-projekteve në Partesh dhe në Graçanicë, të dyja këto vende të banuara me shumicë serbe.
Kryeministri Kosumi u ka bërë thirrje sërish serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në këtë proces.
“Pakicat në Kosovë e në veçanti serbët e Kosovës, nuk duhet t’i frikësohen decentralizimit dhe planit tonë për këtë proces, sepse me decentralizim, ne duam që pakicat t’i bëjmë pjesë të tërësisë dhe t’i mbrojmë ato si pjesë e shtetit demokratik e qytetërues”, tha Kosumi.
Edhe Larry Rosin thotë se pjesëmarrja e serbëve në këtë proces, është një nga sfidat më të mëdha:
“Shumë nga sfidat për të pasur pjesëmarrjen e popullit serb në institucionet e Kosovës jemi munduar t'i bëjmë përmes mesazhit se ata janë brenda Kosovës, se e ardhmja e tyre është në Kosovë dhe se ata duhet ta vënë të ardhmen në duar të duhura e jo të marrin udhëzime nga jashtë Kosovës”, tha Rosin, duke shtuar se pret që nga suksesi i njësisë komunale të Hanit të Elezit të marrin mësim serbët e Kosovës.
Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, ka thënë se për dy pilot- njësitë në Graçanicë dhe Partesh procesi ende mbetet i hapur.
“Serbët e Kosovës përmes institucioneve lokale kanë treguar vullnet dhe gatishmëri, por në një moment të caktuar kanë qenë të penguar nga qendrat politike jashtë Kosovës, që të jenë pjesëmarrës në këtë proces dhe ne shpresojmë se do të çbllokohet, do t’i iket diktatit të kësaj politike dhe do të kalohet në kontekst të kooperimit me institucionet e Kosovës”, tha Haziri.
Pala serbe vazhdon ta refuzojë këtë proces derisa nuk përmbushen kërkesat e tyre që të gjitha pilot-njësitë komunale, të cilat janë të banuara me popullatë serbe, të udhëhiqen nga vetë ata. Por, një përgjigje negative për këtë propozim, Haziri ua ka kthyer atyre para 10 ditësh përmes një letre, të cilën ia ka dërguar përfaqësuesit serb Oliver Ivanoviq, ku u ka bërë me dije se plani B i qeverisë nuk do të pësojë ndryshime.

XS
SM
MD
LG