Ndërlidhjet

MIRËPRITEN QËNDRIMET E GRUPIT TË KONTAKTIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Institucionet e Kosovës, partitë opozitare, si dhe përfaqësuesit e serbëve, kanë vlerësuar se Grupi i Kontaktit ka përmbushur pritjet e tyre nga ky takim që ka përfunduar në orët e para të mëngjesit të djeshëm.
Avni Arifi, këshilltar i parë i kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi, tha se ato që janë thënë në takimin e Grupit të Kontaktit kanë qenë të pritura nga institucionet e Kosovës, të cilat janë në kontakte të vazhdueshme me vendet anëtare të grupit të Kontaktit:
"Po ashtu, ambasadori Eide do të marrë kohën e mjaftueshme që i duhet për ta bërë vlerësimin që i hap rrugë Kosovës".
Në këtë kuadër, zoti Arifi tha se bashkëpunimi me Grupin e Kontaktit ka bërë që këto vlerësime të mos jenë të befasishme për institucionet:
"Ne deri më tash kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Grupin e Kontaktit dhe kemi pasur një komunikim të shkëlqyeshëm dhe deri tash të gjitha indikacionet janë se shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit janë të kënaqura me shkallën e angazhimit të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e obligimeve që dalin, qoftë nga plani për standardet, qoftë në decentralizim apo në sfera të tjera".
Ndërkaq, Enver Hoxhaj, zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, tha se edhe pse detajet më të rëndësishme nga ky takim një herë për një herë nuk dihen, është përcjellë mesazhi të cilin e ka pritur Kosova:
"Vetë takimi dhe agjenda tregon se procesi i përcaktimit të statusit përfundimtar me këtë takim veçse ka filluar".
Zoti Hoxhaj tha se partia më e madhe opozitare mendon se takimi dhe mesazhet që janë përcjellë janë në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës, por duhen përcaktuar kornizat kohore për përcaktimin e statusit përfundimtar:
"Kuptohet që ne angazhohemi për një proces që duhet të ketë dy data të prera, një se kur duhet të fillojë procesi dhe tjetri se kur duhet të mbarojë, meqë nuk jemi të interesuar të hyjmë në një fazë të dytë të status-quos, e cila do ta pengonte jo vetëm Kosovën, por tërë rajonin".
Qëndrimet e Grupit të Kontaktit janë cilësuar të pranueshme edhe nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq nga Lista Serbe tha se janë dy gjëra të rëndësishme që ka kërkuar Grupi i Kontaktit:
"E para që institucionet e Kosovës dhe liderët politikë duhet të punojnë shumë në mënyrë që gjendja të përmirësohet, lidhur me demokratizimin dhe multietnicitetin e vërtetë," tha Oliver Ivanoviq, duke theksuar se kjo do të thotë se këto dy detyra nuk janë përmbushur deri më tash, prandaj duhet të pasojnë kërkesat e këtij mekanizimi për institucionet:
"Mendoj se do të pasojë një pako masash dhe kërkesash që bashkësia ndërkombëtare do t’ua parashtrojë institucioneve për t’i përmbushur në një kohë të caktuar," tha Oliver Ivanoviq.
Përfaqësuesit e UNMIK-ut ndërkaq kanë thënë gjatë ditës së djeshme se zoti Petersen ka kërkuar përshpejtim të procesit të përcaktimit të statusit dhe ka pasur një ndjenjë se kjo është pritur mirë nga pjesëmarrësit e këtij takimi.




XS
SM
MD
LG