Ndërlidhjet

KOSOVA ENDE NË PRITJE TË KODIT TË TELEFONISË


Albana Isufi, Prishtinë

Zyrtarët e administratës ndërkombëtare në Kosovë thonë se ende nuk kanë marrë përgjigje nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, rreth Kodit të Telefonisë për Kosovën, kërkesë kjo e bërë kohë më parë nga shefi i UNMIK-ut.
“Ne po presim vendimin nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit. Deri tash nuk ka arritur ndonjë vendim rreth kodit të telefonisë për Kosovën nga ky union”, tha për radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, duke i hedhur poshtë kështu pohimet e mediave vendore se Kosovës i është refuzuar Kodi i Telefonik.
Ndërkohë, kreu i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Anton Berisha, i cili nuk është pajtuar me mënyrën se si UNMIK-u e ka paraqitur kërkesën, e ka quajtur këtë çështje pothuajse të dështuar.
“Sipas nesh do duhej të bëhej një ekip i përbashkët dhe pastaj do shkohej me një kërkesë konkrete, se cila është zgjidhja më e mirë. Kjo nuk ka ndodhur, por UNMIK-u ka shkuar vetë në këtë aksion. Por, mund të them se herë me vonesë e herë jo jemi informuar, kemi pasur informata direkte nga Gjeneva dhe mund të them se çështja e kodit është komplikuar aq shumë sa mund të quhet e dështuar”, tha Berisha.
Ndërkohë, UNMIK-u dhe qeveria kanë ndërlidhur zgjidhjen e problemit të telefonisë së dytë mobile me dhënien ose jo të kodit telefonik për Kosovën.
“Po në të vërtetë rreth çështjes së telefonisë së dytë mobile, ne do të presin që të zgjidhet së pari çështja e kodit të telefonisë, sepse kjo është e lidhur direkt me operatorin e dytë të telefonisë mobile dhe ne do të presim përgjigjen e ITU-së, para se të ecim përpara me telefoninë e dytë mobile," tha Neeraj Singh.
Por, për Anton Berishën është e pakuptueshme, që të lidhen këto dy çështje.
“Ne kemi pasur qëndrim konstant të UNMIK-ut ‘jemi duke pritur kodin’. Unë edhe atëherë e kam shtruar pyetjen çka nëse nuk vjen kodi, a duhet pritur prapë apo duhet gjetur një arsye tjetër”, thotë Berisha, duke theksuar faktin se Kosova është vendi i vetëm në Evropë, që ka vetëm një operator të telefonisë mobile dhe rrjedhimisht qytetari paguan shërbime më të shtrenjta, ndërsa brezi frekuencor është i okupuar nga operatorët fqinj.
“Ligji ne na obligon që të hapim konkurrencën dhe jemi përgjegjës për sektorin e telekomunikacionit, kështu që nga ana jonë ne kemi obligim t’i kryejmë obligimet ligjore ndaj qytetarëve dhe ndaj ligjit, ndërsa është pjesë e qeverisë dhe e UNMIK-ut ta mbajnë këtë proces të bllokuar ose ta zhbllokojë në cilëndo formë’.
Tashmë po bëhen dy vjet që kur qe hapur tenderi për telefoninë e dytë mobile në Kosovë. Sipas Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit tenderi qe fituar nga kompania kosovare-sllovene Mobitel- Mobikos. Vendimi i tillë u hodh poshtë nga UNMIK-ut, për shkak të siç thuhej, shkeljeve të proceduarve tenderuese dhe u kërkua nga qeveria që të shpallë tender të dytë. Mirëpo, një gjykatë kosovare zbuloi se nuk ka pasur shkelje të tilla duke e shpallur të ligjshme kompaninë fituese.
Ndërkohë, në Kosovë vazhdon të funksionojë operatori i vetëm i telefonisë mobile “Vala 900”.

XS
SM
MD
LG