Ndërlidhjet

BSPK PROTESTON NDAJ PEZULLIMEVE TË FUNDIT NË AEROPORT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Suspendimi i katër punëtorëve të aeroportit të Prishtinës, njëri prej të cilëve kryetar i sindikatës së aeroportit, ka bërë që kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Bahri Shabani ta lëshojë demonstrativisht mbledhjen e Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit, i cili në të vërtetë menaxhon ndërmarrjet publike, si aeroporti. Zoti Bahri Shabani ka shpjeguar për Evropën e Lirë, se kryesindikalisti i aeroportit Sulejman Zeneli, është suspenduar me arsyetimin se ka keqpërdorur një bodrum të banesës së tij, duke e dhënë me qira nga qershori i këtij viti. Zoti Shabani tha se suspendimi është i padrejtë pasi nuk është mbështetur në ndonjë vendim të gjykatës, por në një urdhëresë sipas të cilës nuk ka pasur të drejtë ta japë bodrumin me qira. Kryesindikalisti i Kosovës, Bahri Shabani mendon se arsyet e suspendimit kanë qenë për ta fshehur korrupsionin në aeroport:
"E vërteta është se pikërisht sindikata e ka luftuar korrupsionin dhe krimin në aeroport dhe si kundërpërgjigje ka marrë suspendimin nga menaxhmenti. Kjo ka qenë pakënaqësi e jona, duke marrë parasysh se zoti Harvalet është zyrtar i AKM-së dhe unë në bordin e AKM-së kam kërkuar që ta sqarojmë këtë çështje dhe ta marrim një vendim meritor të situatës, duke mos i ikur në asnjë mënyrë fajësisë qoftë të kryetarit, apo të njerëzve të tjerë që janë të korruptuar në aeroport".
Ndërkohë që zoti Shabani është i bindur se kryetari i sindikatës e ka drejtën e imunitetit për veprimtarinë e tij, është takuar sot edhe me shefin e shtyllës katër të UNMIK-ut zotin Joachim Ruecker, i cili ka kërkuar një zgjidhje për problemin. Zëdhënësja e shtyllës katër, Mechtilde Henneke, duke komentuar kritikat e zotit Shabani, tha:
"Ne jemi të njoftuar lidhur me deklaratën e kryetarit të BSPK-së dhe jemi në kontakt të ngushtë me ta. Aktualisht nuk mund të themi asgjë më shumë," tha Mechtilde Henneke, sipas të cilës, pasi të shqyrtohet i gjithë rasti, atëherë shtylla e katër do ta paraqesë qëndrimin e saj lidhur me këtë çështje.
Zoti Bahri Shabani tha se është krejt normale që ai si kryetar i BSPK-së të mbrojë veprimtarët e sindikatës:
"Ne kemi për detyrë ta mbrojmë veprimtarinë tonë, deri sa gjykata ta thotë fjalën e vet".
Mirëpo, tha Shabani, kjo nuk do të thotë se sindikata po ndërhyn në punën e gjyqit:
"Patjetër, ne nuk po ndërhyjmë në çështjen e procedurave ligjore, pasi ajo është çështje e gjykatave dhe ne e pranojmë këtë, mirëpo për suspendim duhet të kenë fakte apo ndonjë vendim të gjykatës që tash mungon, dhe nuk ka asnjë fakt përveç tekeve të menaxherit ndërkombëtar të aeroportit."
Bahri Shabani është anëtar i bordit të Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit, një agjenci kjo që merret me udhëheqjen e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike, të cilat njëkohësisht i menaxhon deri në privatizimin eventual të tyre.

XS
SM
MD
LG