Ndërlidhjet

JESSEN PETERSEN: "TA MBASH KOSOVËN NË KËTË GJENDJE NUK ËSHTË E ARSYESHME"


"Kombet e Bashkuara dhe vendet anëtare e pranojnë faktin se Kosova nuk mund të jetë përgjithmonë nën administrimin e organizatës botërore, kështu që fillimi i bisedimeve për përcaktimin e statusit përfundimtar do miratohet ashtu siç ishte paraparë", ka deklaruar shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, për agjencinë e lajmeve AP.
Ai ka shtuar se "Kosova ka bërë përparim të dukshëm në tetë standardet bazë, përfshi dhe hapat drejt ndërtimit të demokracisë dhe shumëetnicitetit, suksesi në të cilat ka qenë i domosdoshëm për të filluar bisedimet për statusin."
"Jam plotësisht i bindur se bisedimet për statusin do të fillojnë deri në fund të këtij viti. Mendoj se gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se ky është një proçes, në të cilin është shënuar sukses, por natyrisht ka dhe shumë për të bërë", ka thënë mes të tjerash Jessen Petersen. Komentet e shefit të UNMIK-ut reflektojnë një mirëkuptim në rritje se bisedimet për statusin do të marrin dritën e gjelbër edhe nëse nuk ka përmbushje të plotë të standardeve. Fakti se qevertitë e ndryshme po e kuptojnë çdo ditë e më shumë se Kosova nuk mund të qëndrojë në këtë gjendje ka bërë që kryqytet e ndryshme të mendojnë ndryshe lidhur me përparimin e shënuar.
"Ta mbash Kosovën në të njëjtën mënyrë qeverisje edhe gjashtë vjet pas marrëveshjes së parë nga Këshilli i Sigurimit nuk është e arsyeshme", ka thënë Jessen Petersen.
Duke folur për përmbushjen e standardeve shefi i UNMIK-ut ka theksuar se "nuk mendon se ka shumë shoqëri sot në Evropë që i arrijnë këto standarde. Në këtë kontekst nuk ka pasur shumë ndryshime në qasjen ndaj problemit, por ka pasur ndryshim në sensin e realizmit", deklaroi për AP shefi i UNMIK-ut. Por duket se pavarësia është mundësia e vetme që funksionon në rastin e Kosovë shkruan AP.
Jessen Petersen nuk ka pranuar të spekullojë rreth asaj se cili do jetë statusi i ardhshëm i Kosovës, por thekson se "nuk ka shumë opcione". Dhe krejt në fund ai pyet se "se si mund të arrish një marrëveshje mbi këto opcione dhe si do të nxiten palët të cilat do mendojnë se nuk kanë arritur ato që synonin?", kjo mbetet të shihet.

XS
SM
MD
LG