Ndërlidhjet

UNDP PUBLIKOI RAPORTIN PËR ZHVILLIMIN NJERËZOR


Albana Isufi, Prishtinë

Raporti i zhvillimit njerëzor vë në pah se rritja e ndihmave, reformat në fushën e tregtisë dhe paqja afatgjate janë kushte të domosdoshme për zhdukjen e varfërisë ekstreme në botë.
Raporti, të cilin Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara e publikoi sot edhe në Prishtinë, thekson se duhet ndryshuar struktura e dhënies së ndihmave nga vendet e zhvilluara vendeve në zhvillim. Këtë e shpjegon zyrtari për avokim dhe komunikim i UNDP-së Virtyt Gacaferri:
“Shumë nga paratë që u jepen vendeve në zhvillim nga vendet e zhvilluara, u kthehen sërish vendeve të zhvilluara kështu humbet një pjesë e donacionit”.
Raporti thekson se donatorët si kusht për dhënien e ndihmave vënë blerjen e pajisjeve apo teknologjisë së lartë në vendet e tyre. Sërish Gacaferri:
“Kjo shpesh mund të ndikojë edhe ndikon sipas raportit, që 11 -30 për qind të vlerës së ndihmës të zvogëlohet”, thotë Gacaferri.
Sipas raportit vendet në zhvillim pësojnë edhe nga rregullat e tregtisë globale. Përderisa për një vit një vendi në zhvillim i jepen subvencione për bujqësinë në vlerë prej 1 miliardë dollarësh, një vendi të zhvilluar kjo shumë i jepet për një ditë.
“365 herë është më i madh subvencioni në vendet e zhvilluara sesa ndihma që i jepet vendeve në zhvillim, kështu që lind problemi i eksportit të mallrave nga vendet në zhvillim tek vendet e zhvilluara. E eksporti në botën e sotme globale është një nga burimet themelore për të ardhurat e vendeve."
Rekomandimet nuk kanë të bëjnë me vendet specifike. Megjithatë, me të tre pikat e raportit ndërlidhet edhe Kosova, si vend që merr ende ndihma, që është i prekur nga rregullat e tregtisë globale, si dhe vend i dalë nga konflikti.
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Christine Roth, thotë se çështja e ndihmave për Kosovën është shumë relevante, pasi kanë hyrë sasi të mëdha ndihmash dhe nuk dihet se si janë menaxhuar apo a janë përdorur për qëllimin e caktuar.
“Nuk kemi analizuar nëse edhe nga Kosova janë kthyer donacionet në vendet dhuruese, por meqënëse ka të tilla raste në tërë botën, ma merr mendja se raste të tilla ka pasur edhe në Kosovë”, tha Roth.
Objektivat Zhvillimore të Mileniumit, të vendosura nga OKB para 5 vitesh dhe të parapara të përmbushen në vitin 2015 parashikojnë që në tërë botën të ulet varfëria, të ulet vdekshmëria e foshnjave dhe të zhvillohen më tepër vendet e varfra. Christine Roth thotë se për shkak të angazhimeve të tjera qeveria e Kosovës nuk është e obliguar t’i përmbushë këto objektiva.
“Deri tani kemi hezituar që t’i imponojmë shumë këto objektiva në Kosovë, pasi që Kosova është dashur të merret me standardet, me mekanizmin përcjellës të Asociim-Stabilizimit, dhe ne si agjenci pamë që nuk është korrekte që t’i japim edhe këtë detyrë qeverisë. Por, ajo që po bëjmë është që po flasim me disa komuna, në mënyrë që disa nga këto qëllime, si ngritja e arsimimit dhe përmirësimi i shërbimeve të shëndetësisë të plotësohen”, tha Roth.
Raporti i zhvillimit njerëzor u bën thirrje vendeve të pasura që të rrisin sasinë dhe cilësinë e ndihmave për vendet në zhvillim, që të heqin subvencionet për prodhimet vendëse që do eksportohen, pasi kjo ndikon negativisht në bujqësinë e vendeve në zhvillim.
Po ashtu në raport vihet në pah se pabarazia mes njerëzve po rritet jo vetëm globalisht, por edhe në vende individuale. Nëse objektivat zhvillimore të mileniumit nuk përmbushen deri në 2015, atëherë parashihet se do ketë 4.4 milionë më shumë vdekje të fëmijëve, sesa ka tani, 210 milionë njerëz nuk do kenë qasje ne ujë të pijshëm, ndërsa 380 milionë njerëz të tjerë do jetojnë më me pak se 1 dollarë në ditë.

XS
SM
MD
LG