Ndërlidhjet

INSTITUCIONET E KOSOVËS TË PËRKUSHTUARA PËR LUFTIMIN E TRAFIKIMIT TË NJERËZVE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Institucionet e Kosovës janë të vendosura që të luftojnë trafikimin me qënie njerëzore në Kosovë dhe kjo do të arrihet duke mbështetur dhe mbrojtur personat e trafikuar, por edhe duke bërë ndjekjen penale të personave që marrin pjesë në aktivitetet e trafikimit. Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, ka thënë kështu me rastin e prezantimit të fushatës për ngritjen e vetëdijes për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qënieve njerëzore, posaçërisht të femrave kosovare. Kjo fushatë është përgatitur nga zyra për qeverisje të mirë në kuadër të kryeministrisë, Organizata Ndërkombëtare për Migrim dhe është mbështetur nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID.
"Qeveria dhe institucionet e Kosovës në një partneritet strategjik me shoqërinë civile dhe në bashkëpunim të ngushtë me agjencionet ndërkombëtare është përkushtuar të rritë rolin udhëheqës në parandalimin dhe luftimin e këtij krimi, që njëkohësisht paraqet shkelje të të drejtës themelore të njeriut."
Habit Hajredini, nga zyra për qeverisje të mirë tha se duke parë që tashmë Kosova është bërë vend origjine dhe trafikimi i brendshëm është raportuar në rritje gjatë viteve të fundit, kjo fushatë do të ndihmojë në kërkimin e keqpërdoruesve që shfrytëzojnë viktimat e trafikimit.
"Prandaj ne vendosëm që si grup, në shënjestër të fushatës sonë, të jenë klientët dhe klientët potencialë, të cilët shfrytëzojnë shërbimet e viktimave të trafikimit, në mënyrë që të kontribuojnë për të forcuar reagimin dhe dënuar biznesin kriminal, si dhe për ta vënë në pah dukjen e dhunës së ushtruar kundrejt të drejtave themelore të njeriut."
Zoti Hajredini tha se sipas dispozitave ligjore të aplikuara për krimin e trafikimit me qënie njerëzore në Kosovë, klientët të cilët i shfrytëzojnë këto shërbime mund të dënohen me nga tre muaj deri në pesë vjet heqje lirie, ndërkaq kur viktima e trafikimit është nën moshën 18 vjeç, dënimi mund të zgjatë edhe dhjetë vjet.
Enriko Ponziani nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim, tha se trafikantët i mashtrojnë viktimat duke u premtuar kryesisht një jetë më të mirë.
"Gjendja politike, stagnimi ekonomik, pabarazia gjinore dhe mundësitë e kufizuara të emigrimit, sidomos për grupet e njerëzve të zhgënjyer, bëjnë që ata të kërkojn rrugë të vështirë për ikjen nga shtëpitë e tyre," tha zoti Ponziani, duke theksuar ndërkaq se sipas një hulumtimi të fundit, vetëm 20 përqind e intervistuarve thonë se ka trafikim.
Por ndryshe nga zoti Ponziani, Keni Jamashita, drejtor i USAID-it, tha se statistikat e trafikimit tregojnë për një gjendje alarmuese. Ai tha se trafikimi me qënie njerëzore, sidomos me vajza dhe gra, ka kaluar në çështje ndërkombëtare.
"Tani numri i femrave kosovare të trafikuara është i barabartë me numrin e femrave që trafikohen nga jashtë, gjë që derimë tani nuk ishte kështu ".
Në raportin e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim është thënë se mosha e viktimave të trafikimit në Kosovë sillet deri në 30 vjeç dhe ato kryesisht kanë nivel të ulët të arsimimit dhe vijnë nga familjet që jetojnë në gjendje të rëndë sociale.

XS
SM
MD
LG