Ndërlidhjet

KRYEPARLAMENTARI DACI TUBON PËRFAQËSUESIT E SUBJEKTEVE PARLAMENTARE NË PRAG TË SEANCËS SË NESËRME


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përpjekjet e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, që të arrihet një konsensus i plotë politik para seancës së nesërme plenare, kur pritet miratimi i deklaratës së presidentit të Kosovës për formimin e grupit negociator për statusin dhe emërimin e koordinatorit të ekspertëve, nuk kanë hasur në përkrahje të të gjithë spektrit politik kosovar që përfaqësohet në Kuvend. Në fakt, Daci i ka ftuar sot kryetarët dhe nivelet më të larta të përfaqësimit të gjitha partive parlamentare, përfshirë ato në pushtet dhe opozitën, që të bisedojnë për miratimin e grupit negociator për statusin, në mënyrë që nesër Kuvendi pa pasur nevojë të votojë për vendimin e presidentit Rugova ta miratoj atë unanimisht. Mirëpo, në takimin e ftuar nga Daci, nuk kanë marrë pjesë LDK-ja, si partia më e madhe në pushtet dhe PDK-ja subjekti më i madh opozitar. Ndërsa nga LDK-ja, zyrtarët e saj kanë pohuar shkurt se e kanë përkrahur vendimin e Rugovës dhe ketë do ta bëjnë dhe nesër në seancën plenare, zyrtarët e PDK-së nuk janë prononcuar, duke e lënë kështu që qëndrimin e vet ta shprehin në seancën e nesërme. Ndërkaq nga subjektet pjesëmarrëse në takimin e sotëm, AAK-ja, sipas nënkryetarit të saj, Naim Maloku, vlerëson se Kosova ka nevojë për një unitet në procesin e bisedimeve, të cilat sipas tij, do të fillojnë së shpejti:
“Normalisht pavarësia nuk negociohet, mirëpo ne hymë në procesin e përcaktimit të statusit dhe në atë proces Kosova po hyn unike dhe me një unitet të brendshëm të faktorit politik shqiptar. Procesi nuk ka opozitë- pozitë, pra procesi në të cilin po hyn Kosova nuk ka qëndrime të pozitës dhe opozitës, ne jemi bashkë në atë proces dhe bashkë do dalim”, tha Naim Maloku.
Kurse nënkryetarja e partisë politike Ora, Teuta Sahatxhiu, thotë se kjo parti, si subjekti i dytë i madh opozitar, ka vërejtje në formën se si presidenti Rugova ka marrë vendimin për ta shpallur grupin negociator, pa i konsultuar partitë tjera politike në Forumin e Kosovës. Ajo thotë se ishte marrëveshje e mëhershme që vendimet e tilla të rëndësishme në interes të Kosovës të merren me konsensus, por Sahatxhiu nuk e përjashtoi mundësinë që Ora, nesër në Kuvend ta përkrahë deklaratën e presidentit Rugova:
“Ora ka qenë për përkrahjen e presidentit që të kryesojë Forumin dhe negociatat. Por, ne si parti, çdo herë kemi qenë për konsensus dhe për unitet, dhe mendojmë se kjo deklaratë edhe ky grup duhet ta përfaqësojnë unitetin. Por në qoftë se kërkohet uniteti, sidomos prej partive opozitare, atëherë duhet të ketë një sinqeritet edhe prej pozitës”, tha Sahatxhiu.
Në takimin e sotëm kanë marrë pjesë dhe disa prej partive më të vogla parlamentare. Sidoqoftë, në mungesë të një konsensusi paraprak për miratimin unanim të grupit negociator, subjektet e sotme pjesëmarrëse në takim thanë se presin që nesër në Kuvend të ketë dhe debat parlamentar, e mbase edhe votim për vendimin e presidentit Rugova.



XS
SM
MD
LG