Ndërlidhjet

RUGOVA DHE PETERSEN I BËJNË THIRRJE KUVENDIT TË MIRATOJË GRUPIN NEGOCIATOR PËR STATUSIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Presidenti i Kosovës i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që në mbledhjen e nesërme ta miratojë ekipin negociator për statusin, të cilin ai e ka propozuar dy javë më parë. Këtë thirrje presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, e ka bërë sot në rezidencën e tij në Prishtinë, pas një takimi me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, i cili ka ftuar liderët politikë që ta mbështesin nismën e presidentit Rugova dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, meqë nuk ka mbetur më kohë për t’u çuar kot.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se Kosova dhe udhëheqja e saj është në pritje të raportit të ambasadorit Eide dhe njëkohësisht po bëhen përgatitje që sipas rrugës ndërkombëtare të hapen bisedat për të ardhmen e Kosovës.
"Nesër Kuvendi i Kosovës e ka mbledhjen e vet dhe presim se do ta miratojë deklaratën time, që është me rëndësi për rrugën ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës dhe unë i bëj apel Kuvendit të Kosovës që ta miratojë këtë deklaratë, sepse është një hap i rëndësishëm drejt të ardhmes dhe pavarësisë së Kosovës", tha presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ndërkohë që shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, tha se nuk ka më kohë për t’u humbur:
"Pas takimeve në Nju Jork javën e shkuar ne jemi edhe një hap më afër fillimit të diskutimeve për statusin dhe vërtet nuk ka më kohë për ta çuar kot nga partitë politike në përgatitjet për diskutimet lidhur me statusin," tha zoti Jessen Petersen. Ai tha se e mirëpret iniciativën e presidentit nga dy javë më parë për ekipin negociator, duke shfaqur besimin se diskutimet e nesërme në Kuvend do të ndihmojnë për të nisur përgatitjet për diskutimet lidhur me statusin menjëherë:
"Ne tani jemi shumë afër dhe Kosova duhet të jetë e përgatitur, ndërkohë që nisma e presidentit ka synuar për ta përgatitë Kosovën dhe besoj se të gjithë liderët politikë do t’i marrin përgjegjësitë e tyre," tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, i cili dje është kthyer nga një vizitë njëjavëshe në Nju Jork, me optimizmin se statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë i zgjidhur gjatë vitit të ardhshëm.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se qysh nesër do të fillonte përgatitjet intensive për diskutimet lidhur me statusin:
"Nesër pas miratimit në Kuvend, unë menjëherë do ta takoj ekipin, pra delegacionin e Kosovës, edhe ai do të punojë dhe funksionojë si një trup, që do t’i bëjë të gjitha përgatitjet sipas rrugës ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës".
Kuvendi i Kosovës në mbledhjen e nesërme do të diskutojë lidhur me propozimin e presidentit Rugova për grupin negociator të Kosovës në bisedimet për statusin, që zoti Petersen e ka quajtur grupi i unitetit, meqë përbëhet nga udhëheqës të katër partive më të mëdha politike të Kosovës. Në mbledhjen e nesërme të Kuvendit po ashtu pritet të lexohet një deklaratë e presidentit Rugova lidhur me përgatitjet për statusin.

XS
SM
MD
LG