Ndërlidhjet

SINDIKATA KËRCËNOHET ME GREVË, QEVERIA THOTË S'KA FONDE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Qeveria e Kosovës është duke u munduar që të gjejë ndonjë zgjidhje të mundshme për sistemin e ri të pagave për punëtorët buxhetorë, tha kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, pas mbledhjes së qeverisë. Ai njëkohësisht tha se qeveria nuk heq dorë nga nivelizimi i pagave, por mungesa e mjeteve materiale ka bërë që të ndalohet zbatimi i këtij procesi.
"Nuk fshihet prapa kësaj një qëllim. Shihet fakti se 4.5 milionë euro kanë qenë të parapara për gjashtë muaj, ndërsa kostoja e bërë tani e kalon shumën prej 7.5 milionë eurosh dhe ne nuk e kemi atë pjesën tjetër të parave dhe kjo e ka ndërprerë procesin. Për gjashtë muaj të këtij viti nevojiten gati 1.5 milionë euro, por për vitin 2006 llogaritet sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar se shuma do të jetë shumë më e madhe. Jo 15 milionë si kemi shpresuar ne, por shumë më e madhe se 15 milion," tha kryeministri Kosumi.
Ndryshe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë është e vendosur që më 3 tetor të fillojë grevën e përgjithshme në të gjitha nivelet e arsimit, përfshirë këtu edhe Universitetin e Prishtinës, nëse qeveria e Kosovës nuk e zbaton sistemin e ri të pagave deri më 30 shtator. Me këtë sistem mundësohet nivelizimi i pagave për të gjithë punëtorët e sektorit publik.
Zenel Zeka, sekretar në këtë sindikatë, thotë se ka pak gjasë që qeveria t’i përmirësojë gabimet që ka bërë në listat e pagave, për shkak të të cilave punëtorët e sektorit publik vazhdojnë të paguhen me sistemin e vjetër.
“Këto ditë dhe orë duhet t’i numërojë qeveria, që të bëjë diçka deri në 30 shtator. Gjasat janë për jo, se deri tani nuk kemi asgjë pozitive se është duke u ndërmarrë diçka, atëherë normalisht se do të veprojmë sipas deklarimit të komunave dhe vetë arsimtarëve”, tha zoti Zeka.
Zoti Zeka tha se deri tani, mbi 70 përqind e arsimtarëve janë deklaruar se do të fillojnë grevën ndërsa deri nesër kjo përqindje pritet të rritet deri në 90 përqind.
“Absulutisht nuk kërkojmë asgjë për veç zbatimit të asaj që ka premtuar qeveria, që të fillojë sistemi i ri i pagave, me korrigjimin e gradimeve apo me gradimin, të cilin e ka bërë Ministria e Arsimit. Këto janë dy kërkesa minimale të cilat nuk kërkojnë asgjë të re, nuk kërkojnë mjete të reja, por vetëm mjetet, të cilat janë dhënë dhe për të cilat kemi vërtetim se egzistojnë. Pra mjetet janë, veçse duhet të zbatohet kjo”, tha zoti Zeka.
Kryeministri Kosumi ndërkaq apeloi tek punëtorët e arsimit dhe sindikata që të mos e fillojnë grevën e paralajmëruar.
"Unë dëshiroj edhe publikisht të ftoj sindikatat, sidomos sindikatën e arsimit, të cilët kanë treguar pakënaqësi dhe kanë paralajmëruar mundësinë e grevave në tetor. Unë i apeloj të gjithë, udhëheqësit e sindikatave, anëtarët e sindikatave dhe mësimdhënësit që të mos praktikojnë grevën, të mos fillojnë me grevë", tha kryeministri Kosumi.
Çështja e nivelizimit të pagave për punëtorët buxhetor në kuadër të Kontratës së nënshkruar Kolektive ka filluar të jetë problematike qysh në fillim të këtij viti. Në atë kohë qeveria e Kosovës ka ndarë 15 milion euro për këtë proces, por për shkak të mungesës së mjeteve materiale në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, kjo shumë është përgjysmuar në 7.5 milion euro.
XS
SM
MD
LG