Ndërlidhjet

logo-print

PETERSEN: NUK MENDOJ SE DIKUSH KUNDËRSHTON IDENË E PRESIDENTIT QË KOSOVA TË SHKOJË UNIKE NË DISKUTIMET PËR STATUSIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Soren Jessen Petersen është i bindur se egziston një pajtueshmëri absolute në mesin e të gjitha forcave politike, se Kosova duhet të shkojë e bashkuar drejt synimit të përbashkët në diskutimet për statusin përfundimtar. Këto komente shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, i ka bërë sot pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi, menjëherë pas mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, ku me shumicë votash u miratuar deklarata e presidentit Rugova për grupin negociator të Kosovës. Zoti Petersen tha se fakti që partitë opozitare nuk kanë votuar, nuk do të thotë se ata e kundërshtojnë ekipin e unitetit, por kanë qëndrimet e tyre për mënyrat se si të bëhet grupi:
"Unë nuk mendoj se kushdo qoftë e kundërshton idenë e lansuar nga presidenti, se Kosova duhet dhe do të shkojë unike në diskutimet për statusin," tha Jessen Petersen, duke shtuar se ka disa pikëpamje që ndryshojnë lidhur me mënyrën se si të bëhet kjo, por ka një pajtueshmëri absolute për qëllimin dhe për shkuarjen kah ai qëllim të bashkuar.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha se votimi i sotëm në Kuvend mundëson fillimin e përgatitjeve konkrete për diskutimet lidhur me statusin:
"Unë sot me kënaqësi e përcolla Kuvendin e Kosovës, diskutimet dhe votimin që është bërë në Kuvend. Sot është votuar grupi negociator në Kuvend dhe kjo tani i jep një shtytje më shumë deklaratës së presidentit dhe orientimit të partive politike dhe të qeverisë, që të fillojmë punën konkrete në përgatitjet për bisedat rreth statusit përfundimtar".
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha se qeveria po planifikon një formë të re të organizimit, ndoshta përmes nëngrupeve, për t’i përfshirë përfaqësuesit e të gjitha minoriteteve që të jenë pjesë e negociatave për statusin dhe ka premtuar se qeveria e Kosovës pavarësisht nga raporti i zotit Eide, do të vazhdojë përmbushjen e standardeve, të cilat i sheh jo si një kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, por si një normë demokratike. Ndërkohë që zoti Petersen ka mbështetur këto dy nisma të kryeministrit Kosumi, komandanti i krahut jugor të NATO-s për Evropën, admirali Harry Ulrich, ka thënë sot në Prishtinë se Aleanca Veriatlantike është e bindur se nuk do të ketë kurrfarë keqësimi të situatës në Kosovë, me rastin e përcaktimit të statusit përfundimtar. Admirali Ulrich i bëri këto komente sot, pas takimeve që ka pasur me krerët e institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të partive kryesore politike. Admirali Ulrich tha se fjalët e presidentit Rugova e kanë inkurajuar dhe nuk priste ndonjë përkeqësim të situatës:
"Absolutisht jo, nuk presim kurrfarë përkeqësimi," tha admirali Ulrich, i cili fillimisht ka takuar presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ka shprehur gadishmërinë për të nisur rrugën ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, siç është shprehur presidenti Rugova:
"Ne po presim tani raportin e ambasadorit Eide që të fillojnë bisedat për pavarësinë e Kosovës, pra kjo është rruga ndërkombëtare. Unë insistoj për një njohje direkte nga Shtetet e Bashkuara, nga Unioni Evropian, që do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës".
Komandanti i krahut jugor të NATO-s ka takuar sot edhe kryeministrin Bajram Kosumi, kryetarin e Kuvendit Nexhat Daci, liderët opozitarë Hashim Thaçi nga PDK dhe Veton Surroin nga partia Ora, si dhe koordinatorin i grupeve punuese për bisedat lidhur me statusin e Kosovës, zotin Blerim Shala.



XS
SM
MD
LG