Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS MIRATON ME SHUMICË VOTASH GRUPIN NEGOCIATOR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot me shumicë votash deklaratën e presidentit Ibrahim Rugova për formimin e grupit negociator për bisedimet eventuale në lidhje me statusin e Kosovës. Deklarata është miratuar pas fjalimeve të shefave të grupeve më të mëdha parlamentare. Ndërsa partitë në Kuvend nga radhët e pozitës, i kanë dhënë mbështetje të plotë deklaratës së Rugovës, duke e cilësuar atë si deklaratë uniteti në prag të bisedimeve për statusin, partitë opozitare nuk kanë votuar as për e as kundër saj.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Alush Gashi kërkoi që procesi eventual i bisedimeve të përcaktojë qartë se pavarësia e Kosovës do të jetë e panegociueshme:
“Me njohjen e deklaratës presidenciale lidhur me delegacionin e unitetit, LDK-ja kërkon sjellje në kuadër të deklaratës së pavarësisë së vitit 1990, të referendumit të vitit 1991, si dhe të obligimeve elektorale, të cilat i mandatojnë përfaqësuesit e Kosovës të të gjitha niveleve për pavarësi të plotë të Kosovës”, pohoi Gashi.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi, e cilësoi deklaratën e Rugovës si të njëanshme dhe e miratuar pa konsensus me spektrin politik opozitar. Krasniqi kërkoi nga Kuvendi që të shpallë fillimisht deklaratën e pavarësisë së Kosovës e më pas të formojë grupin për negociata me bashkësinë ndërkombëtare për shtetin e Kosovës:
“PDK-ja kërkon nga Kuvendi që faktori i unitetit politik i përfaqësuar në Kuvend, ta bëjë zyrtarizmin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, para se të fillojnë bisedimet apo negociatat. Nëse Kuvendi nuk e ka kurojon ta shpallë shtetin e pavarur e sovran, atëherë le të shpallë referendumin gjithëpopullor”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha pas mbledhjes së Kuvendit, se PDK-ja do ta shqyrtojë kërkesën e presidentit Rugova për takimin e grupit gegociator, ku bën pjesë dhe kryetari i kësaj partie Hashim Thaçi.
Kurse Gjylnaze Syla, shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së, i dha mbështetje të plotë deklaratës së Rugovës dhe kërkoi që Prishtina të jetë unike në procesin e përcaktimit të statusit:
“Statusi i Kosovës duhet të zgjidhet në pajtueshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Grupi Parlamentar i AAK-së e mbështet dhe e mirëpret vendimin e presidentit”, tha Syla.
Në vazhdim pikëpamjet e veta në lidhje me grupin negociator sipas deklaratës së propozuar nga Rugova, i ka shprehur dhe grupi parlamentar i Ora-s, përmes kryetarit të saj Veton Surroit. Ai tha se e mbështet deklaratën e Rugovës dhe konfirmoi pjesëmarrjen e tij në grupin negociator. Mirëpo Surroi nuk u pajtua që deklarata të votohet në Kuvend, pasi që kjo sipas tij do të nxiste reaksione të tjera, kështu që gjatë votimit, Ora nuk votoi as për e as kundër:
“Ne nuk do të duhej të deklaroheshim këtu për hollësi, sepse këto janë hollësi do të mund të ngatërronin çështjen themelore, e çështja themelore është se duhet të vendoset grupi bazik ashtu siç e ka propozuar kryetari”, theksoi Surroi.
Sidoqoftë, kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, i mbylli të gjitha debatet dhe kërkoi që Kuvendi ta votojë deklaratën e presidentit Rugova. Votimi solli si rezultat miratimin e kësaj deklarate me shumicë votash, ndërkohë që opozita nuk votoi as për e as kundër. Procesit negociator do t’i prijë presidenti Ibrahim Rugova, kurse në grupin negociator do të jenë dhe kryeparlamentari Nexhat Daci, kryeministri Bajram Kosumi si dhe dy liderët e opozitës, Hashim Thaçi e Veton Surroi. Kryeparlamentari Daci tha se i gjithë procesi eventual i bisedimeve do të kalojë në ratifikim në Kuvend, si institucioni më i lartë:
“Kuvendi i Kosovës do të bëjë ratifikimin në kohë të duhur të gjitha përcaktimeve strategjike dhe marrëveshjeve eventuale apo të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke shprehur vullnetin e lirë dhe vetëm vullnetin e popullit të Kosovës”, tha Daci.
Pas miratimit të deklaratës, të pakënaqura me procedimin e mbledhjes, disa parti më të vogla parlamentare kanë kërkuar fjalën, por këtë nuk e ka lejuar Daci, i cili e shpalli të mbyllur kaptinën e miratimit të deklaratës dhe grupit negociator. Megjithatë, pakënaqësitë rriteshin, kështu që Daci e shpalli të ndërprerë seancën, për ta vazhduar nesër me pikat e tjera në rendin e ditës.



XS
SM
MD
LG