Ndërlidhjet

logo-print

AHMETI: QEVERIA NUK ËSHTË E VETËDIJSHME SA DUHET RRETH PROBLEMIT TË VARFËRISË NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

Krijimi i një plani strategjik nga qeveria e Kosovës, që do të hapte vende të reja të punës shihet si nevojë urgjente nga ekspertet e ekonomisë me qëllim që të ulet shkalla e lartë e varfërisë në Kosovë. Në raportin e fundit Banka Botërore, thotë se 37 përqind e popullsisë së Kosovës jetojnë në varfëri, ndërkaq 15 përqind në varfëri të skajshme.
Zyrtarët e qeverisë dhe ekspertët e pavarur të ekonomisë pajtohen se varfëria në Kosovë e ka zanafillën që nga vitet e 90-ta. Por, mosreduktimi i saj të paktën në këto vitet e fundit, sipas hulumtuesit nga instituti Riinvest Gazmend Ahmeti, është rezultat i mungesës së punës dhe përvojës së qeverisë.
“Qeveria jonë ende nuk është e vetëdijshme sa duhet rreth këtij problemi, ajo nuk e di se gjysma e popullatës së saj jetojnë në varfëri, kryesisht në zonat rurale, nëse shkojmë sipas rajoneve kjo e kalon edhe këtë përqindje domethënë më shumë se 50 përqind”.
Ajo që tani e bën qeveria është ofrimi i ndihmave sociale për 42 mijë familje. Zëdhënësi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Agron Bacaj, thotë se nevojat për këto ndihma janë shumë më të mëdha.
“Ka shumë familje, që ende kanë nevojë për asistencë sociale, kjo mund të vazhdojë, mund t’i trajtojmë këto familje, por shkalla e varfërisë shumë pak mund të ketë ulje”, thotë Bacaj.
Gazmend Ahmeti nga Riinvesti thotë se zbatimi i politikave sociale nuk është zgjidhja e problemit.
“Qeveria e Kosovës po merret me pasojat, po mundohet që të kompensojë atë kategori njerëzish që vetëm se janë në atë problem dhe po mundohet përmes disa politikave sociale, ndërkaq që e dimë se buxheti ynë as për së afërmi nuk mund t’i mbulojë nevojat e tyre elementare. Qeveria duhet të ketë plane që përmes ndihmave, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda, ku do bëhej mobilizimi i sektorit privat dhe publik përmes krijimit të vendeve të reja të punës, pasi vendet e reja të punës mund ta nxjerrin këtë kategori nga pozita e palakmueshme”, tha Ahmeti.
Agron Bacaj thotë se 2. 6 milionë euro është shuma që çdo muaj Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, i jep për asistencë sociale. Por, edhe ai pranon se kjo nuk është zgjidhje e problemit.
“Buxheti për asistencë sociale në këtë nivel që është tani mund të zbatohet edhe më tej, por kjo nuk është zgjidhe afatgjatë, pasi ne i kemi trajtuar këto familje edhe më parë. Prej vitit 2000 zbatohet skema e asistencës sociale dhe nga viti 2000 ne kemi pothuajse të njëjtën shkallë të varfërisë”, tha Bacaj.
Raporti i Bankës Botërore thotë se 37 përqind e popullsisë së Kosovës jetojnë me më pak se 1.42 euro në ditë, ndërkaq 15 përqind me më pak se 93 centë në ditë. Banka Botërore kërkon përkushtim më të madh të qeverisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë t’i zbatojnë programet politike, që do të mundësonin një rritje të qëndrueshme dhe të gjithanshme ekonomike duke kontribuar kështu në uljen e varfërisë.






XS
SM
MD
LG