Ndërlidhjet

AFRIMI I KAPITALIT TË HUAJ NË SEKTORIN ENERGJETIK DO TË ZGJIDHTE PROBLEME EKONOMIKE DHE SOCIALE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Sektori i energjisë elektrike në Kosovë ka perspektivë dhe vetë egzistenca e një sasie të madhe të lignitit mundëson që Kosova të ketë jo vetëm energji të qëndrueshme për tregun e vendit, por edhe për eksport. Prandaj bazuar në potencialet egzistuese për zhvillimin e energjetikës, Ministria e Energjetikës dhe Minierave, tashmë e ka përgatitur strategjinë për këtë zhvillim gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm, thotë Agron Dida, zëvendësministër i kësaj kësaj ministrie.
"Natyrisht të gjitha këto veprime që do të çojnë deri tek krijimi i një situate të tillë ku ne do të kemi energji të mjaftueshme për vendin tonë dhe do të kemi mundësi edhe për eksport, janë të varura edhe nga aspekti se si do t'i qasemi sigurimit të investimeve për këtë sektor. Ne mendojmë se qeveria e Kosovës nuk ka nevojë të investojë mjetet e veta. Ka mjaft atë që e ka, ka lignitin, ka kapacitetet egzistuese të cilat kanë vlerë të caktuar, domethënë nuk janë pa vlerë, përkundrazi; dhe pjesa tjetër duhet të jetë investim privat."
Strategjia për zhvillimin e energjetikës parasheh mënyrën e shfrytëzimit të burimeve energjetike, fatin e termocentraleve egzistuese, ndërtimin e kapaciteteve të reja, ristrukturimin e Korporatës Energjetike të Kosovës, si dhe përfshirjen në mënyrë normale dhe jodiskriminuese në tregun rajonal dhe ndërkombëtar të energjisë. Zëvendësministri Dida thotë se sipas strategjisë , nuk dëshirohet që KEK-u të jetë sinonimi i vetëm për sektorin e energjisë elektrike në Kosovë, por të jetë një nga kompanitë që prodhon energjinë elektrike. Megjithatë, sipas tij, për ndërtimin e një termocentrali të ri, i cili mund të kushtojë rreth 1 miliard euro, qeveria e Kosovës nuk ka mundësi të investojë.
"Ne kemi vetëm dy mundësi. Ose ta lemë thëngjillin nën tokë e të presi mundësi më të mira, ose të bëjmë atë që mendoj se duhet të bëjmë, t'i bëjmë ofertë kapitalit të huaj që të investojë këtu, që të kemi edhe ne përfitim, natyrisht edhe kapitali i huaj duhet të ketë kthimin e vet mbrapa dhe përfitimin e vet mbrapa."
Investimi i kapitalit të huaj, do të sillte edhe përfitime të tjera, shton zëvendësministri Dida.
"Ne përpiqemi që të zgjidhim edhe problemin social, beneficionet për Kosovën si furnizimi me energji, përmirësimin e bilancit tregtar të Kosovës me jashtë. Në qoftëse do të eksportohet energjia, atëhere bilanci do të përmirësohet pak në favor të ekonomisë së Kosovës. Një vend i punës që krijohet me termocentralet e reja krijon dy apo tre vende të reja të punës. Domethënë zhvillohen këto aktivitetet e reja dytësore, të cilat bashkëpunojnë me këto gjigandë energjetikë. Natyrisht mbeten edhe të ardhura të tjera që takojnë sipas taksave."
Sipas një ekspertize të financuar nga Agjencioni Evropian për Rindërtim, për regjallërimin e blloqeve të Termocentralit Kosova A, nevojiten 275 milion euro, të cilat do të bënin të mundur shfrytëzimin e këtyre kapaciteteve edhe për 7 deri 10 vite. Zëvendësministri Dida thekson se së shpejti do të fillohet procedura për thirrjen e investitorëve të huaj edhe për rigjallërimin e këtij termocentrali. Ai shton se, në bazë të një studimi të Bankës Botërore, Kosova për shkak të burimeve të mëdha të lignitit mund të krijoj të ardhura të konsiderueshme prej eksportit të energjisë, prandaj strategjia për zhvillimin e enrgjetikës duhet të orientohet edhe në këtë drejtim.
"Detyra jonë si ministri, si qeveri është që të kemi vizion. E tani edhe parlamenti do të vendosë si e do këtë çështje. Ne e kemi prezantuar këtë vizion, i cili është që dëshirojmë që zhvillimi i sektorit të energjetikës të jetë bazë edhe për zhvillim ekonomik, jo vetëm për plotësimin e nevojave të brendshme. Për këtë duhet që parlamenti të japë votën e vet.
Sidoqoftë, Ministria e Energjetikës dhe Minierave do të parashtrojë strategjinë për zhvillimin e energjetikës në Kuvendin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG