Ndërlidhjet

NDRYSHIMI I STATUS QUO-S NË MITROVICË KËRKON NJË QASJE TJETËR


Milazim Krasniqi, Prishtinë

KFOR-i dhe UNMIK-u kanë përfillur kërkesën këshillit lokal të bashkësisë islame të Mitrovicës, për pastrimin e varrezave muslimane në pjesën veriore, dhe paralelisht me këtë është mundësuar edhe pastrimi i varrezave ortodokse në pjesën jugore të qytetit të ndarë. Marrëveshja për pastrimin e varrezave në dy pjesët e ndara të qytetit të Mitrovicës, në sfondin e ngjarjeve të shumta që po ndodhin këto ditë në Kosovë, mund të duket e vogël, por ajo ka një mesazh mjaft domethënës. Bashkimi i dy komuniteteve në çështjen e përbashkët të kujdesit për të dashurit e tyre të vdekur, mund të shihet si dimension jetik, që shfaqet më i fuqishëm se emocionet patriotike dhe që mund të ndihmojë në pajtimin e komuniteteve. Ky dimension jetik ja bën të qartë gjithkujt, se ndarja e qytetit është e panatyrshme, sepse edhe në rast se ndërrohen apartamentet, nuk mund të ndërrohen edhe varrezat. Gjatë javëve të kaluara ka pasur edhe disa lëvizje të tjera domethënëse në planin politik dhe diplomatik lidhur me Mitrovicën.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka publikuar vizionin e vet, duke propozuar një varg veprimesh, që i konsideron me rëndësi kritike për ribashkimin e qytetit dhe për riintegrimin e Kosovës. Vlera e raporteve të tilla të GNK-së është në faktin se e kthen vëmendjen e institucioneve dhe të opinionit publik në një temë që nuk duhet të lihet në harresë. Mospajtimet e palëve lidhur me idetë e parashtruara në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, dëshmojnë se status-quoja në Mitrovicë është çimentuar dhe nuk ndryshohet lehtë. Por edhe ndryshimi i një gjendjeje të bllokuar, fillon nga ndryshimi i mënyrës të perceptimit të saj. Nëse raporti i GNK-së ka ndryshuar sado pak në këtë mënyrë të perceptimit, kontributi i tij do të mund të shihet në të ardhmen. Edhe takimi i ministrave respektivë Haziri dhe Llonçar në Vjenë, përfshihet në këtë shumësi përpjekjesh për ta prishur status-quon, në favor të zbutjes së tensioneve dhe të gjetjes së një zgjidhjeje, që do të integronte komunitetet e ndara në Mitrovicë. Edhe efektet e atij takimi mbase do të ndihen në ditët që vijnë, së paku në aspektin e thyerjes së barrierave psikologjike, që bllokojnë takimet dhe komunikimin elementar. Por ajo që duhet të bëjnë institucionet e Kosovës në afatin e kronometruar nga Grupi i Kontaktit në Nju Jork, nuk i përket sferës së simbolikës, e as efekteve që mund të ndihen pas një kohe më të gjatë. Detyrimet e institucioneve për realizimin e standardeve janë konkrete dhe mjaft të afatizuara. Realizimi faktik i standardeve për sundimin e ligjit, për lirinë e lëvizjes dhe për kthimin e qëndrueshëm mund të shndërrohet në një ofertë serioze për integrimin e serbëve në shoqërinë e re të Kosovës. Por realizimi i këtyre standardeve matet me efektet e vërteta në terren. E kjo nënkupton se nëse përmbushet liria e lëvizjes dhe kthimi i qëndrueshëm, do të ndodhte dhe shkarkimi i pjesës veriore të Mitrovicës nga të zhvendosurit që janë të përqëndruar atje. Rrjedhimisht kjo do të shprehet edhe në rënien e tensioneve të banorëve të vjetër të qytetit të Mitrovicës, të cilët kanë shumë gjëra të përbashkëta në atë qytet, që nuk mund t'i ndajnë nëse qyteti mbetet i ndarë. Varrezat janë vetëm ajo pjesa më e pandryshueshme e tregimit të përbashkët të të gjithë mitrovicasve.


XS
SM
MD
LG