Ndërlidhjet

MË TRE TETOR NË KOSOVË- GREVË E PËRGJITHSHME NË SEKTORIN PUBLIK


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës sot ka marrë vendim unanim që më tre tetor të organizojë grevë të përgjithshme për të gjithë punëtorët e sektorit civil në mbarë Kosovën. Bahri Shabani, kryetar i kësaj sindikate, ka thënë se kjo grevë është vetëm riaktivizim i grevës së paralajmëruar më nëntë qershor, për zbatimin e kontratës kolektive, nëpërmjet së cilës mundësohet nivelizimi i rrogave për punëtorët e sektorit publik.
"Me këtë rast, BSPK, bazuar në kërkesat e disa sindikatave në kuadër të saj, në datën 3 tetor shpall grevë dhe fton të gjithë punëtorët të jenë pjesëmarrës të grevësnë sektorin publik në nivel të Kosovës. Kërkojmë zbatimin e Kontratës Kolektive, të nënshkruar me aneksin plotësues në qershor të vitit 2005-së, dhe fillimin e zbatimit të nivelizimit të pagave, gjithashtu një vendim i qeverisë, i marrë në qershor të vitit 2005. Kontrata kolektive dhe nivelizimi i pagave kërkojmë që të fillojë sipas marrëveshjes nga data e 1 korrikut të vitit 2005."
Sistemi i arsimit dhe ai i shëndetësisë janë sektorët më të goditur nga pengesat që kanë ndikuar në zvarritjen e nivelizimit të rrogave.
Ali Shabani, kryetar i Sindikatës së Arsimit, tha se tashmë mësimdhënësit janë të gatshëm të fillojnë grevën. Unë kujtoj se në sistemin e arsimit publik në Kosovë, greva është mbështetur në masën më të madhe të mundshme, pasi deri tani është anashkaluar arsimi. I ka rënë ndesh vendimeve që ka marë qeveria për nivelizimin e pagave në arsim, shëndetësi dhe të gjitha shërbimet e tjera publike".
Edhe Asllan Bajrami, nga Sindikata e Shëndetësisë, tha se punëtorët shëndetësorë e përkrahin grevën e paralajmëruar.
"Gjithsesi e përkrahim, pasi në grevë hymë pas negociatave të shumta, pas rinegociimit të të njëjtave gjëra, edhe pse bëhet fjalë për dokumente tashmë të nënshkruara nga partnerë socialë, përkatësisht nga qeveria e Kosovës dhe Sindikata. Ne jemi të shtyrë të bëjmë grevë."
Mirëpo kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, ditëve të fundit ka thënë se mungesa e mjeteve materiale ka penguar vazhdimin e procesit të nivelizimit të pagave. Prandaj ka kërkuar nga sindikalistët, që të vetëpërmbahen nga greva.
Megjithatë këta të fundit pritet që gjatë ditës së nesërme të vendosin mbi hollësitë e mbajtjes së kësaj greve.

XS
SM
MD
LG