Ndërlidhjet

ROSEMARY DICARLO: REFORMAT DUHET TË VAZHDOJNË EDHE GJATË BISEDIMEVE PËR STATUSIN E KOSOVËS


Robert McMahon

Zëvendës ndihmës sekretarja për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike Rosemary Di Carlo, i tha Radios Evropa e Lirë, se nëqoftëse raporti i ambasadorit Kai Aide për Kosovën do të jetë pozitiv, atëherë procesi do të vazhdojë përpara me gjithë shpejtësinë, ndërsa Shtetet e Bashkuara presin që krahas bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës, procesi i reformave të mos ndërpritet, kurse dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë.
"Qëndrimi ynë është se ne e parashikojmë fillimin e bisedimeve. Nëse do të kemi rekomandime pozitive, do të shkojmë përpara me gjithë shpejtësinë. Duam të shohim vazhdimin e përmbushjes së standardeve dhe të reformave. Ato do të vazhdojnë, dhe duhet të vazhdojnë edhe kur të fillojë procesit, ndërsa të dyja palët i inkurajojmë që ta vazhdojnë dialogun", tha Rosemary DiCarlo.
Sipas saj, në Kosovë është shënuar progres, por ai duhet të vazhdojë.
"Ne të gjithë jemi dakord se në Kosovë është bërë progres. Çështja është nëse progresi në këtë pikë është i mjaftueshëm apo jo. Por, ne kemi parë se gjatë disa viteve të fundit janë bërë shumë gjëra, si zbatimi i ligjeve dhe përpjekjet për decentralizim më të madh. Pra, gjëra të cilat do t'i mundësonin Kosovës që të jetë një shoqëri shumëetnike dhe të funksionojë si duhet duke respektuar të drejtat e pakicave. Megjithëse është arritur progres, ne e dimë se duhet të bëhet progres i mëtejmë", tha Rosemary DiCarlo.
Lidhur me rolin e Grupit të Kontaktit, në të cilin bën pjesë edhe Rusia, Rosemary DiCarlo deklaroi.
"Ne të gjithë jemi dakord lidhur me disa parime, siç janë mosndarja e Kosovës, mospërdorimi i forcës dhe mosndërmarrja e aksioneve të njëanshme. Rusia ka qenë anëtar aktiv i Grupit të Kontaktit dhe mendoj se përsëri do të shohim bashkëpunim dhe angazhim konstruktiv të saj, ashtu siç e kemi patur në disa vitet e fundit", tha Rosemary DiCarlo.
Ndërkaq shefi i zyrës amerikane në Prishtinë Phillip Goldberg, tha për Radion Evropa e Lirë se pas përcaktimit të statusit përfundimtar, prania e ndërkombëtarëve në Kosovë do të ketë tipare partneriteti.
"Atë që mendoj se tani e dimë, është se në fushat si gjyqësia dhe në fushat që kërkojnë prani të vazhdueshme ndërkombëtare, pas vendimit për statusin përfundimtar, prania nuk do të jetë siç është rasti në këto 6 vitet e fundit, por do të jetë një partneritet, i cili do ta çojë Kosovën drejt institucioneve evropiane dhe integrimeve me pjesën tjetër të rajonit" tha Goldberg.
Ndërkaq zëvendës ndihmës sekretarja për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike Rosemary Di Carlo, tha se Shtetet e Bashkuara synojnë të mbeten në partneritet të ngushtë me Evropën, për ta çuar përpara integrimin e rajonit në strukturat euro-atlantike.



XS
SM
MD
LG