Ndërlidhjet

REZOLUTA E PROPOZUAR NGA PDK HYRI NË PROCEDURË TË RREGULLT PARLAMENTARE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, me të cilën kërkohet që Kuvendi ta ri-konfirmojë vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran, ka hyrë sot në procedurë të rregullt parlamentare. Nisma e partisë më të madhe opozitare është mbështetur në parim dhe nga partitë e tjera parlamentare dhe sipas një marrëveshjeje të arritur ndërmjet grupeve parlamentare, rezoluta e propozuar pritet të harmonizohet dhe me qëndrimet e partive, në mënyrë që kjo rezolutë jo më larg se brenda dy javëve, të kthehet në Kuvend për miratim.
“Fundi i shekullit të kaluar kulmoi me çlirimin e vendit, kurse fillimi i këtij shekulli duhet të kulmojë me pavarësinë e Kosovës”, tha propozuesi i kësaj rezolute, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili u bëri thirrje edhe partive të tjera ta përkrahin nismën e opozitës:
“Jemi brez me fat që mund të kulmojmë përpjekjet për liri të brezave me radhë dhe tani jemi po ashtu me fat që mundemi të ndërtojmë shtetin e pavarur e demokratik të Kosovës. Deputetë të nderuar, sot jemi thirrur në shërbim të sublimes, me nxjerrjen e vendimit për ri-konfirmimin dhe institucionalizimin e vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran”, tha Thaçi.
Më pas qëndrimet e tyre i kanë shprehur dhe shefat e grupeve të tjera parlamentare. Ndërsa subjekti i dytë opozitar Ora, i ka dhënë mbështetje PDK-së dhe e ka konsideruar këtë nismë të qëlluar, dy partitë në pushtet, LDK-ja dhe AAK-ja, kërkuan që nisma e PDK-së të mbetet në procedurë për harmonizim dhe nxjerrjen e një teksti, i cili do të miratohej nga Kuvendi.
Nismën për harmonizimin e tekstit të rezolutës e ka paraqitur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Alush Gashi, i cili tha se ri-konfirmimi i vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran është pjesë e programit edhe të kësaj partie:
“Sa herë që të përmendet apo të kërkohet konfirmimi apo ri-konfirmimin për pavarësi të Kosovës, Lidhja Demokratike do të veprojë dhe do ta përkrahë atë me çfarëdo çmimi qoftë. Ne ofrojmë propozimin tonë që të formohet një grup, i cili do ta harmonizojë atë tekst”, theksoi Gashi.
Ndërkohë deputeti i AAK-së, Bujar Dugolli rikujtoi se grupi parlamentar i kësaj partie kishte ngritur më 3 shkurt të vitit 2003, çështjen e miratimit të deklaratës për pavarësinë e Kosovës, por e cila ka mbetur ende në procedurë. Prandaj Dugolli mbështeti propozimin e LDK-së që të formohet një grupi parlamentar që do ta plotësojë dhe harmonizojë tekstin e rezolutës së propozuar nga opozita:
“Ne mendojmë që deklarata e paraqitur nga PDK-ja ka pika të qëndrueshme, por nuk është e mjaftueshme. Ne jemi në favor që të ulemi si përfaqësues të grupeve parlamentare, ta harmonizojmë një tekst të deklaratës apo rezolutës, ta bëjmë tekst të Kuvendit të Kosovës dhe ta miratojmë”, pohoi Dugolli.
Më pas, grupet parlamentare zhvilluan një takim të mbyllur, ku u morën vesh që të formohet një grupi i përbashkët parlamentar, i cili duke harmonizuar tekstin e propozuar nga opozita, do t’i propozojë Kuvendit miratimin e rezolutës gjatë një seance që do të thirret për javën e ardhshme.
Në rezolutën e propozuar nga PDK-ja, kërkohet që Kuvendi i Kosovës të ri-konfirmojë vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran. Pastaj që pavarësia dhe vullneti i popullit të Kosovës nuk janë të negociueshme dhe nën tre kërkohet që çdo marrëveshje eventuale gjatë procesit të bisedimeve të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.

XS
SM
MD
LG