Ndërlidhjet

logo-print

MINISTRAT HAZIRI DHE HARAÇIA RAPORTOJNË PËR TAKIMET ME HOMOLOGËT E TYRE SERBË


Albana Isufi, Prishtinë

Kritika të ashpra rreth takimeve të tyre me homologët serbë kanë marrë sot nga anëtarët e pozitës dhe opozitës të komisionit parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar, ministrat Lutfi Haziri dhe Astrit Haraçia në një takim me dyer të mbyllura.
Ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri qe takuar para disa javësh me homologun serb Zoran Llonçar në Vjenë në një takim joformal. Ndërkaq, Ministri i Kulturës Astrit Haraçia, ka takuar homologun e tij në Beograd, duke shënuar rastin e parë që një ministër kosovar udhëton në Serbi.
Komisioni ka konstatuar se takimet e tilla duhet të strukturoren nga të gjitha institucionet e Kosovës. Kryetari i Komisionit parlamentar për Marrëdhënie me Jashtë, Sabri Hamiti, tha se nga dëshmitë e ministrave është parë se këto takime nuk ishin të strukturuara në nivelin e duhur.
“Janë momente vendimtare dhe duhet të matet çdo fjalë dhe kontakt, të matet çdo diskutim në interesin e Kosovës. Kjo formë e insistimit të strukturimit të raporteve me jashtë do të jetë më e mira për të ardhmen”.
Prezantim të dobët të nivelit institucional dhe politik i ka quajtur këto takime shefi i grupit parlamentar të PDK-së Jakup Krasniqi, njëherësh anëtar i komisionit.
“Dhe në ato bisedime ka dalë sikur Kosova është ajo që i ka shkaktuar viktima të tjerëve dhe jo të tjerët viktima Kosovës”.
Ministrat kanë treguar se vendimi për mbajtjen e bisedimeve ka qenë i kryeministrit Bajram Kosumi dhe i të dërguarit të Kofi Annanit për vlerësimin e standardeve Kai Eide. Krasniqi ka kërkuar interpelancë të kryeministrit në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq, opozitari tjetër, kryetari i partisë Ora, Veton Surroi, ka quajtur shkuarjen në Beograd të ministrit Haraçia si skandaloze, me të cilën është bërë një shkarje nga platforma e palës kosovare që negociatat të ndodhin gjithnjë në vend të tretë dhe me ndërmjetësues.
“Kryeministri nuk është degë pa tru dhe ai duhet të konsultohet me qeverinë dhe parlamentin dhe të mos marrë këto vendime. Shkarjet janë evidente, nga njëra anë kemi problemin e decentralizimit, pasi Beogradi po shndërrohet në palë pa ndërmjetës”.
Pas të gjitha këtyre kritikave, ministri Lutfi Haziri ka thënë se takimi i tij nuk ishte as i pari dhe as i fundit, që pala kosovare zhvillon me palën serbe dhe nuk e ka quajtur takimin si hap të ngutshëm.
“Unë e paraqita edhe para komisionit, ka qenë takim joformal. Dihet niveli i bisedimeve dhe i përfaqësimit, takime të tilla janë mbajtur në 6 vitet e fundit vetëm se me organizatorë të tjerë. Fundja nuk ishte as i pari dhe as i fundit, por tani roli i parlamentit është më i qëndrueshëm dhe i prekshëm në raport me këto takime që po ndodhin”.
Kreu i Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie me Jashtë, Sabri Hamiti, ka quajtur veprimin e sotëm të komisionit si një hap drejt krijimit të një disipline institucionale të veprimit.
“Unë po ju garantoj se do ta krijojmë atë disiplinë, jo në kuptimin e frikësimit të dikujt, por ta bëjmë dijen e strukturuar në raport me të tjerët për interesat e Kosovës”.
Edhe pse i kritikuar më së shumti, ministri Astrit Haraçia nuk është deklaruar për gazetarët rreth vizitës së tij në Beograd. Ndërkaq, ministri Haziri ka premtuar se në të ardhmen do të respektojë vendimin e organeve më të larta të vendit, në këtë rast të parlamentit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG