Ndërlidhjet

SHTYHEN BISEDIMET BE-TURQI


The Guardian

Turqia ballafaqohet me një pritje të tensionuar për të parë nëse do të ftohet për bisedime, pasi natën e kaluar ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian në Luksemburg dështuan në arritjen e një marrëveshjeje.
Austria refuzoi të tërhiqej nga kërkesa që Turqisë t'i ofrohet një alternativë, e jo pranim i plotë në BE.
Dështimi për ta arritur marrëveshjen paraqet goditje për Britaninë e Madhe, që është përkrahësi më i madh i Ankarasë në Bashkimin Evropian.
Mbrëmë Britania dhe Turqia e kishin rritur presionin për arritjen e marrëveshjes duke tërhequr vërejtjen se Evropa mund të nxisë një "konflikt të civilizimeve" ndërmjet botës myslimane e të krishterë, nëse e shkatërron ëndrrën 40 vjeçare të Ankarasë për t'ju bashkuar bllokut evropian.
Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka thënë se "ose Bashkimi Evropian do të tregojë pjekuri politike dhe do të bëhet fuqi globale, ose do të përfundoj si një klub i të krishterëve". Mëtutje zoti Erdogan tha se Turqia "do të jetë e dëshpëruar që projekti për aleancën e civilizimeve do të dëmtohet".
Sekretari i jashtëm britanik, Xhek Strou, gjatë natës së kaluar tha se Turqia i ka plotësuar kushtet e paraqitura dhjetorin e kaluar që bisedimet të fillonin sot. Ai tha se "BE-ja dhe popujt evropianë gjithmonë e kanë parë Turqinë si një shtet evropian".
Britania, që aktualisht kryeson Bashkimin Evropian, u detyrua të thërrasë mbledhjen e natës së kaluar, pasi Ausria kishte bllokuar një marrëveshje lidhur me parimet themelore për bisedime për anëtarësim.
Vjena thotë se po reflekton një pakënaqësi në mbarë Evropën dhe për këtë arsye dëshiron që të tërhiqet nga premtimi i udhëheqësve të BE-së, vitin e kaluar, për të ndjekur "objektivat e përbashkëta" që Ankarasë t'i garantohet anëtarësi e plotë. Në këtë aspekt Austria është në favor të një forme tjetër të bashkëpunimit me Turqinë.
Por, Ankaraja thotë se nuk do të pranojë asgjë më pak se anëtarësi të plotë.
Kundërshtimi i Austrisë ndaj Turqisë pasqyrohet edhe në hulumtimet e djeshme të opinionit, sipas të cilave 73% e austriakëve besojnë se Turqia nuk duhet t'i bashkohet bllokut për shkak se dallimet kulturore janë shumë të mëdha.
Ndërsa, në mbarë Bashkimin Evropian, 54 % e njerëzve mendojnë në këtë mënyrë.
XS
SM
MD
LG