Ndërlidhjet

PRISHTINË


Zëvendëskomandanti suprem i NATO-s për Evropën, gjenerali britanik John Reith ka qëndruar sot në Kosovë, me ç’rast pos përfaqësuesve të pranisë ndërkombëtare ushtarake dhe civile ka takuar edhe krerët e institucioneve të Kosovës. Siç bën të ditur zyra për shtyp e kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi, në takimin me gjeneralin Reith, i cili shoqërohej nga komandanti i KFOR-it , gjenerali Giussepe Valotto, është biseduar rreth situatës së sigurisë në Kosovë, e cila është vlerësuar e qetë. Kryeministri Kosumi është shprehur se edhe pas definimit të statusit do të jetë e nevojshme prania ushtarake ndërkombëtare me qëllim të krijimit stabilitetit dhe qëndrueshmërisë në Kosovë dhe rajon. Zëvendëskomandanti suprem i NATO-s për Evropën, gjenerali John Reith ka takuar sonte edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci. Sipas një njoftimi të zyrës së zotit Daci, tema qendrore të takimit ishin rrjedhat aktuale politike në një periudhë shumë të rëndësishme të zhvillimit, nëpër të cilën po kalon Kosova. Në këtë frymë u theksua se Kosova gjendet në një fazë historike, duke marrë parasysh se ajo gjendet para përcaktimit të statusit, i cili duhet të jetë në pajtim me vullnetin e popullit.
XS
SM
MD
LG