Ndërlidhjet

LUKSEMBURG


Kroacia po bashkëpunon plotësisht me Gjykatën e Hagës për ish Jugosllavinë, ka deklaruar sot përpara grupit punues për Kroacinë në Bashkimin Evropian, kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Carla Del Ponte.
Kjo i hap rrugën Zagrebit për të filluar bisedimet për anëtarësi të plotë në Bashkimin Evropian. Kryeministri kroat, Ivo Sanader, ka dhënë konferencë shtypi së bashku me zonjën Del Ponte ku ka përshëndetur vendimin.
"Bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës nuk është vetëm një detyrim ndërkombëtar për të hyrë në Bashkimin Evropian apo në NATO. Ky është detyrimi ynë i brendshëm, pasi ka të bëjë me shtetin ligjor dhe respektimin e ligjit. Parlamenti i Kroacisë në vitin 1995 ka miratuar ligjin për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës", tha Sanader.
Po sot Bashkimi Evropian ka rënë dakord për të hapur bisedimet për marrëveshjen e asocim stabilizimit me Serbinë dhe Malin e Zi. Koshtunica e ka vlerësuar vendimin e fundit të Bruskelit si të "një rëndësie të jashtëzakonshme". Por Del Ponte ka përsëritur sërish kritikat ndaj Beogradit.
"Do të doja të shihja dhe Serbinë e Malin e Zi të bashkëpunojë si Kroacia. Ne jemi shumë larg këtij bashkëpunimi me Beogradin", tha Del Ponte.
XS
SM
MD
LG