Ndërlidhjet

RUGOVA CAKTON PËR TË ENJTEN TAKIMIN E GRUPIT NEGOCIATOR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova e ka thirrur takimin e parë të grupit negociator për bisedimet eventuale për statusin e Kosovës, për këtë të enjte. Në takimin e parë konstituiv janë ftuar kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, kryeministri Bajram Kosumi, pastaj udhëheqësit e opozitës, Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së dhe Veton Surroi kryetar i partisë Ora, si dhe koordinatori i grupeve të ekspertëve për përgatitjen e bisedimeve, Blerim Shala.
Aktualisht pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar të gjithë të ftuarit, përveç kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, ngase në këtë parti sot nuk janë prononcuar për këtë çështje.
Ndërkohë, këshilltari i parë i kryeministrit të Kosovës, Avni Arifi, thotë se pret që me takimin e të enjtes, përgatitjet e Prishtinës për bisedimet eventuale për statusin të kalojnë në fazën përfundimtare:
“Parashikimet tona janë se do të fillohet më në fund me konkretizimin e obligimeve dhe detyrave që dalin për grupin negociator, si dhe me aspektet e tjera që kanë të bëjnë me bisedimet për status”, tha Arifi.
Po ashtu, edhe në kabinetin e kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, konfirmohet pjesëmarrja dhe pritet që në takim të shpalosen pikëpamjet e para lidhur me platformën për bisedime. Këshilltari politik i kryeparlamentarit Daci, Ramush Tahiri, thotë se në takim pritet të përcaktohet një orar, apo agjendë e veprimeve në të ardhmen, në fushën përgatitore për bisedimet për statusin:
“Unë konsideroj që fjalën kryesore do ta ketë Blerim Shala si koordinator i grupit të ekspertëve, i cili do të prezantojë ekipin e ekspertëve, që ndërkohë do të plotësohet edhe nga subjektet e ndryshme. Gjithashtu do të prezantojë, të themi, një lloj platforme për bisedime, që do të jetë gjithsesi dhe pjesa e përgatitjeve dhe dokumenteve, që nuk do të bëhen publike menjëherë, por në faza të caktuara, ashtu si do të shkojnë bisedimet me bashkësinë ndërkombëtare”, theksoi Tahiri.
Ndërsa nga partia më e madhe opozitare sot nuk kishte një përgjigje rreth pjesëmarrjes së Hashim Thaçit në takimin e të enjtes, partia e dytë opozitare Ora, përmes zëdhënësit, Ylli Hoxha, e ka konfirmuar pjesëmarrjen e Veton Surroit në takimin e ftuar nga presidenti i Kosovës:
“Siç dihet Ora ka kërkuar që një takim i tillë të ndodhë që sa kohë, dhe presim që të jetë një takim, apo zanafillë e një procesi, respektivisht për mbylljen e pjesës të arritjes së konsensusit lidhur me çështjen e bisedimeve”, tha Hoxha.
Grupi negociator për bisedimet eventuale për statusin është shpallur nga presidenti i Kosovës dhe miratuar më pas nga Kuvendi. Me qëllim të paraqitjes së Kosovës unike në procesin e bisedimeve, Rugova ka nominuar në këtë grup si udhëheqësit më të lartë në pushtet, ashtu edhe ata të opozitës.

XS
SM
MD
LG