Ndërlidhjet

BUSEK: BE-JA ENDE NUK KA QËNDRIM PËR KOSOVËN


Intervistë me Erhard Busek, kreu i Paktit të Stabilitetit

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Busek, muaj më parë keni thënë se Bashkimi Evropian nuk ka një strategji për Kosovën. Si qëndron gjendja aktualisht, a ekziston një strategji dhe nëse po cila është?

ERHARD BUSEK
Mendoj se edhe sot Bashkimi Evropian nuk ka një pozicion të qartë se çfarë duhet bërë me Kosovën. Problemi nga njëra anë qëndron në Beograd, pasi ajo që ata thonë, se duhet dhënë diçka më shumë se autonomi nuk është e mundur, kurse nga ana tjetër kemi kosovarët që besojnë se ata veçse e kanë tashmë pavarësinë, çfarë gjithashtu nuk është e mundur. Për momentin po presim raportet përkatëse për Kosovën dhe njëherësh emërimin e një ndërmjetësuesi. Ka fjalë se Marti Ahtisari do të jetë ai që do udhëtojë mes Prishtinës dhe Beogradit. Dhe nëse gjërat marrin një rrugë në vitin 2006 mendoj se është diçka e mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertë e politikanë të ndryshëm kanë paraparë se pavarësia e kushtëzuar mund të jetë një nga rezultatet e bisedimeve për statusin e Kosovës. Nëse diçka e tillë ndodh, cili do jetë raporti mes pavarësisë dhe sovranitetit?

BUSEK
Nëse ekspertët kanë një qëndrim të tillë kjo është e mirë. Por problemi real sipas meje mbetet që të bindim të dyja palët. Beogradi është i bindur se Kosova është pjesë e tyre dhe kështu duhet të mbetet, ndërsa kosovarët janë të bindur se pavarësia është zgjidhja e vetme, ose thënë më sakt pavarësia e menjëhershme. Mendoj se këtu qëndron problemi. Ne duhet të përpiqemi t'i bindim të dyja palët se duhet të bëjnë lëshime reciproke dhe ma merr mendja se do të ishte e mirë të përcaktonim dhe afate kohore për zgjidhjen e problemit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Bashkimi Evropian do të jetë në gjendje dhe i gatshëm të drejtojë misionin në Kosovë, nëse do kemi ndryshime në këtë drejtim. Dhe në një rast të tillë si do dukej ky mision?

BUSEK
Askush nuk është i kënaqur nga një skenar i tillë pasi mundësitë e BE-së sa i përket fondeve, njerëzve e me rradhë janë të kufizuara. Por është bindja ime personale se vetëm evropianizimi i Kosovës është zgjidhje e besueshme për Kosovën. Kështu BE-ja dhe vendet e tjerra evropiane duhet ta marrin përsipër proçesin dhe misionin nga Kombet e Bashkuara. Një gjë e tillë duhet të ndodhë dhe në Bosnjë Hercegovinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se Bashkimi Evropian nuk ka një qëndrim të qartë ndaj Kosovës. A mendoni se faktorë të tjerë ndërkombëtarë, jashtë evropianë kanë një qëndrim?

BUSEK
Përshtypja ime është se Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë shprehur hapur, janë më të qartë në këtë drejtim se ne evropianët.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se zgjidhja e statusit të Kosovës do ndikojë në stabilizimin e rajonit dhe a ka ndonjë kufi kohor se deri kur duhet zgjidhur ky problem?

BUSEK
Mendoj se vendosja e një kufiri kohor brenda të cilit duhet zgjidhur problemi nuk ka kuptim, pasi afati i vërtetë është që të kemi rezultate.
Mendoj se gjendja aktuale në Kosovë nuk bllokon vetëm Serbinë, por gjithë rajonin, pasi ka ndikim në Maqedoni, Shqipëri e me rradhë. Kështu që është në interesin e rajonit që të zgjidhet ky problem. Dhe me sa kam parë vendet e rajonit po shkojnë gjithnjë e më shumë në këtë drejtim, pra të ushtrimit të një lloj presioni që kjo çështje të zgjidhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur në planin rajonal, si i shihni pozicionet e Tiranës, Beogradit dhe Shkupit ndaj Kosovës. A po luajnë ato një rol konstruktiv?

BUSEK
Mendoj se Tirana disa herë ka bërë deklarata që janë gjysmë ndihmëse, por tek e fundit po mban një lloj distance. Shkupi është shumë i interesuar që kjo çështje të zgjidhet, pasi nëse kemi ndonjë zgjidhje që do ndikojë tek shqiptarët e Maqedonisë do të ishte negative. Ata janë shumë të interesuar të kemi një zgjidhje të pranuar nga të gjithë.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të qëndroja sërish tek Beogradi, për të cilin thatë se nuk është i gatshëm të bëjë kompromise rreth Kosovës. Por a mendoni se Beogradit duhet t'i jepet një rol kyç në këtë drejtim kur dihet se ai e ka humbur luftën në Kosovë?

BUSEK
Mendoj se Beogradi ka një rol kyç, pasi çdo rezultat do duhej të jetë i pranueshëm dhe prej tyre. Problemi qëndron se Qeveria nuk është në nivelin e duhur, derisa edhe partitë politike po përpiqen të përfitojnë diçka nga kjo situtatë. Ata bëjnë, më lejoni të them, një fushatë tepër brutale në këtë temë.

Intervistoi: Ilirjana Bajo

XS
SM
MD
LG