Ndërlidhjet

INSTITUCIONET E KOSOVËS OPTIMISTE LIDHUR ME RAPORTIN E EIDES


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës janë shprehur optimistë lidhur me raportin për gjendjen e përgjithshme në Kosovë, që ambasadori Kai Eide i ka dorëzuar mbrëmë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan. Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryeministri Bajram Kosumi, kanë thënë se shpresojnë fuqishëm që raporti i ambasadorit Eide do të mundësojë fillimin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Ata i kanë bërë këto komente sot në Prishtinë, pas takimeve që kanë pasur me Ministrin e Jashtëm të Finlandës Erki Tumioja, vendi i të cilit nga mesi i vitit të ardhshëm merr kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian. Presidenti Rugova tha se raporti i ambasadorit Eide i hap rrugën një takimi ndërkombëtar për statusin:
"Pas vlerësimit të raportit të ambasadorit Eide, mund të hapet rruga për një takim ndërkombëtar, për biseda për të ardhmen e Kosovës, pra që është pavarësia",tha presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, duke përsëritur qëndrimin e tij për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian. Ndërkaq, kryeministri Kosumi tha se shpresonte fuqimisht që raporti të jetë pozitiv dhe të hapë rrugën për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës:
"Ky raport, nëse ka reflektuar këtë progres dhe besoj se po, atëherë do të hapë mundësinë për biseda për statusin përfundimtar të Kosovës. Unë mendoj se progresi në Kosovë ka mbërritur kulmin me këtë status politik çfarë e ka Kosova sot dhe nuk mund të pritet tjetër progres brenda kësaj kornize kushtetuese që ka sot Kosova."
Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi ka kërkuar nga Bashkimi Evropian përkrahje për respektimin e vullnetit të popullit për pavarësi:
"Është me ndihmesë të madhe në qoftë se Bashkimi Evropian bën edhe një hap përpara drejt përkrahjes së fuqishme të vullnetit politik të popullit të Kosovës, sepse kjo është e drejta themelore demokratike".
Në anën tjetër, serbët e Kosovës presin që raporti i ambasadorit Eide të identifikojë të gjitha problemet, me të cilat përballet bashkësia serbe. Oliver Ivanoviq, nga lista Serbe, tha se pret që të identifikohen edhe fajtorët, por edhe rrugët për përmirësim, megjithëse, sipas tij raporti do të përbëjë një mospajtim të serbëve me zotin Eide:
"Është e qartë se këtu do të ketë rekomandime lidhur me bisedat për statusin dhe këtu nisin mospajtimet tona me ambasadorin Eide, pasi jam i bindur se ai do të rekomandojë hapjen e rrëfimit për statusin përfundimtar," tha zoti Ivanoviq, sipas të cilit asnjëra palë nuk është e gatshme për këtë proces pasi, shqiptarët duan pavarësi, serbët duan që Kosova të bëhet pjesë e Serbisë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk e ka të qartë se çfarë të bëjë në këtë rast.
Në anën tjetër, shefi i diplomacisë finlandeze Erki Tumioja, tha se në Kosovë kishte parë një qëndrim të qartë për vizionin evropian të Kosovës dhe ky vizion do të mbështetej nga vendi i tij. Ndërkaq, raporti i zotit Eide do të shqyrtohet me kujdes, tha zoti Tumioja:
"Nuk e kemi parë ende raportin e zotit Eide, pasi nuk është bërë publik, prandaj nuk e dimë se çfarë ka në të, edhe pse natyrisht kemi njohuri të përgjithshme se çka pritet nga ai. Por pavarësisht nga kjo, ne do ta shqyrtojmë atë me kujdes," tha Ministri i Jashtëm finlandez, i cili duke komentuar pohimet se bashkëkombësi i tij Mati Ahtisaari është ndër kandidatët më seriozë për të qenë i dërguari i posaçëm i zotit Anan për statusin e Kosovës, ministri Tumioja tha se ende nuk ka vendim për këtë, por ai është ndër kandidatët për këtë punë:
"Nëse atij do t’i ofrohet kjo detyrë dhe do ta pranojë, ai do të veprojë në mënyrë të pavarur, pasi do të ishte përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm, por qeveria finlandeze do t’i japë atij gjithë ndihmën e nevojshme," tha Ministri i Jashtëm i Finlandës Erki Tumioja, i cili sot ka takuar edhe zëvendëskryeadministratorin e Kosovës Larry Rossin dhe përfaqësues të opozitës.
Hashim Thaçi kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, që është më e madhja e opozitës, tha se Kosova është e gatshme të marrë mbi vete përgjegjësitë për çuarjen përpara të procesit politik:
"Shpreha edhe zotimin dhe përkushtimin për të vazhduar në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, që sa më shpejt të arrijmë zgjidhjen e statusit politik të Kosovës".
Ndërkaq, në një komunikatë për shtyp të partisë Ora thuhet se kryetari i kësaj partie Veton Surroi, në takimin me zoti Tumioja janë pajtuar për nevojën e përshpejtimit të përgatitjeve të palës kosovare për bisedime dhe për ruajtjen e frymës konsensuale në këtë proces. Veton Surroi theksoi se, në rast të emërimit të Marti Ahtisaarit si ndërmjetës të bashkësisë ndërkombëtare në bisedimet rreth statusit të Kosovës, ai do të gëzonte mbështetjen e partisë Ora. Kryetari i Ora-s ritheksoi qëndrimin e kësaj partie, se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të sigurojë funksionalitetin e tërësisë territoriale të Kosovës, si shtet i cili synon integrimin në Bashkimin Evropian, thuhet në komunikatë.

XS
SM
MD
LG