Ndërlidhjet

logo-print

TALABANI: IRAKIANËT TË VENDOSUR PËR NJË SHTET DEMOKRATIK


Presidenti irakian Jalal Talabani viziton radion Evropa e Lirë

Vendosmëria e irakianëve për të ndërtuar një shtet demokratik e ka bërë Irakun cak të terroristëve.
"Të gjithë irakianët janë të barabartë dhe diktatura në çfarëdo lloj forme nuk do të ketë vend. Është kjo vendosmëri që po na bën ne cak të terroristëve dhe forcave të errësirës, të cilët nuk mund ta pranojnë faktin se po ndërtohet një demokraci", tha presidenti irakian Jalal Talabani, gjatë vizitës në radion Evropa e Lirë.
Kryengritësit në Irak përfshijnë mbështetës të ish diktatorit Sadam Husein, të Al Kaidës, si dhe një numër grupesh të vetëdeklaruara si nacionaliste, apo të tjera që i takojnë grupeve ekstremiste islamike.
Por më tej Talabani ka theksuar besimin se referendumi i 15 tetorit për të miratuar Kushtetutën, do ndihmojë në përmirësimin e gjendjes, pasi vota popullore do të nënvizojë mbështetjen për qeverinë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të radios Evropa e Lirë, presidenti irakian theksoi se megjithatë është i ndërgjegjshëm se miratimi i kushtetutës nuk është ilaçi për të shëruar gjithçka.
"As unë dhe askush tjetër nuk kemi thënë se kushtetuta do t'i zgjidhë të gjitha problemet e Irakut. Por kushtetuta do të bindë çdo irakian, se pushteti është i qëndrueshëm dhe se Iraku i ri demokratik do të mbijetojë, e terroristët nuk mund të mposhtin vullnetin e popullit irakian", tha Talabani.
Lidhur me praninë e forcës ndërkombëtare në Irak, presidenti Talabani përsëriti qëndrimin e tij të mëhershëm, se është ende shpejt që të flasim për vendosjen e afatave kohore për tërheqjen e ushtarëve të koalicionit.
"Me ndihmën e aleatëve tanë ne do ta mbrojmë këtë demokraci, duke ngritur dhe aftësuar trupat tona të sigurisë. Ne nuk do vendosim afate kohore për tërheqjen e forcës shumëkombëshe, pasi një gjë e tillë do t'u ndihmonte terroristëve, të cilët do mendonin se mund të na mundin. Ne nuk do t'u japim atyre asnjë shenjë se vullneti ynë për të triumfuar është dobësur", tha presidenti irakian gjatë vizitës në radion Evropa e Lirë.
Jalal Talabani nuk harroi të vlerësonte rolin e shërbimit të Irakut pranë radios Evropa e Lirë, që njihet si radio Iraku i Lirë.
"Që nga viti 1998 Radio Iraku i Lirë ishte një burim i rëndësishëm për qasje të thellë, të paçensuruar dhe informacion objektiv për popullin e Irakut, që jetonte në atë botë nën regjimin e Sadam Huseinit", tha Talabani, i cili si pjesë të vizitës së tij në Republikën Çeke pati dhe ndalesën në radion Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG